Ben Blushi: Amerikani që kërkon të vdesë në Shkodër
Nga: Ben Blushi
Këtë burrë e takova në Shkodër përpara disa muajsh. Diku përballë muzeut Marubi. Në qendër. A mund të bëj një fotografi, i thashë. “Nuk di shqip”, tha ai.
Anglisht, thashë unë
Sigurisht, tha ai
Nga je, e pyeta
Jam amerikan
Çfarë bën në Shkodër?
Kam ardhur për të vdekur
Po pse do të vdesësh në Shkodër, e pyeta
Është pak e komplikuar, tha
Ma thuaj, e pyeta
Unë jam xhainist
Çfarë është xhainizimi, e pyeta
Xhainizmi është një fe indiane dhe unë jam ndjekës i saj
Po pse po vdes, e pyeta
Unë po bëhem gati për të vdekur, tha amerikani
Dhe si bëhesh gati për të vdekur, e pyeta
Sipas besimit tonë unë jam në një fazë tërheqje nga jeta duke hequr dorë nga shumë gjëra të zakonshme përfshi ushqimin dhe seksin.
Pra nuk ha?
Vetëm barishte dhe ujë të zier
A ke qenë i martuar?
Sigurisht kam dhe dy fëmijë
Ke miq në Shkodër?
Shumë pak unë nuk dal shumë nga shtëpia
Po çfarë bën gjithë ditën?
Shumicën e kohës meditoj
Për çfarë mediton?
Kjo është nja praktikë e xhainizmit, ne meditojmë dhe pastrohemi për tu bërë gati për vdekjen
Po pse do vdesësh në Shkodër?
Unë mund të vdes dhe në vende të tjera, por tani jam në Shkodër dhe mendoj se jam gati për të vdekur.
Mirë, i thashë
Mirupafshim, tha
U ndamë.
Fillova të lexoj për Xhainizmin ose Jainism.
Jainism është një nga katër besimet kryesore indiane bashkë me hinduismin, budismin dhe sikhizmin.
Jainismi vjen nga shekulli i 6 para Krishtit dhe synon çlirimin e shpirtit përmes diturisë, besimit të drejtë dhe sjelljes së mirë.
Jainismi është ndoshta besimi më i vjetër i botës.
Jainismi nuk ka një themelues siç ka krishtërimi Krishtin ose budaizmi Budën.
Jainistët nuk besojnë tek Zoti ose Zotat në mënyrën që ne njohim por ata besojnë në hyjnoren, ose në perfekten, pra në qënie të cilat janë të afta për tu adhuruar
Jainismi ka pesë parime kryesore të cilat i ndjekin pasuesit e tij.
E para është jo dhunë ose ahimsa që nënkupton se njeriu nuk duhet ti shkaktojë asnjë formë dhune njerëzve të tjerë dhe sidomos kafshëve.
E dyta asnjë formë pronësie ose aprarigraha. Njeriu nuk duhet të lidhet me asnjë lloj pronësie materiale ose shpirtërore, duke shmangur në këtë mënyrë grykësinë, zilinë e xhelozinë.
E treta e vërteta ose satya, nënkupton se njeriu duhet të thotë gjithnjë të vërtetën dhe të mos gënjejë asnjëherë.
E katërta, mos vidh ose asteya. Një xhainist duhet të marrë leje për gjithshka që merr, ndryshe ajo quhet vjedhje.
E pesta, vetëpërmbajtje seksuale që quhet brahmacharya. Kjo nënkupton besnikëri absolute ndaj partnerit ose në rastin e murgjve dhe asketëve xhain, celibashi e plotë, ose heqje dorë në mënyrë vullnetare nga seksi.
U ktheva sërish në Shkodër për ta takuar xhainistin.
Doja ti bëja disa pyetje të tjera. Më vinte çudi se si një njeri që e dinte se do vdiste më kishte thënë mirupafshim, dmth mund të shihemi sërish. See you again.
Pyeta kudo duke u treguar fotografinë. Askush nuk dinte gjë.
Pyeta në polici. Për herë të fundit e kishin parë disa ditë para se të shkoja por jo më.
Pyeta në varreza. Nuk ishte.
Ndoshta ka shkuar diku tjerër për të vdekur.
Unë doja ta pyesja si e kishte emrin. Para se të vdiste.