BEN BLUSHI: FLAMURI DHE QENI
Nga Ben Blushi-
Duhet të ketë shumë raste në histori kur qeni ka ngrënë flamurin.
Nga natyra qentë kërkojnë gjithmonë të kapin diçka që qëndron më lart se ata dhe flamuri e ka këtë premisë. Ai është krijuar për t’u ngritur në lartësi, mbi oxhaqe, mbi çati, mbi tarraca apo kështjella, aty nga ku mund të shikohet nga njerëzit dhe natyrisht të mos kapet dot nga qentë.
Gjatë luftërave që njerëzit kanë zhvilluar mes tyre, qentë janë përdorur për të përdhosur flamurin e popujve të tjerë. Thonë se grisja apo shëmtimi i flamurit është poshtërimi më i madh që mund ti bësh një kombi tjetër. Edhe sot, popujt që besojnë se jetojnë nën terrorin dhe shtypjen e popujve të tjerë e perdorin djegjen dhe shkeljen e flamujve të popujve të tjerë, si hakmarrje kombëtare, para se t’ua lëshojnë qenve, që vrapojnë nëpër rrugë me pjesën e mbetur në gojë.
Flamujt e parë janë përdorur nga njerëzit në Iran, në vitin 2400 para Krishtit dhe ishin prej bronzi. Nëse Kina, me mëndafshet e saj nuk do hynte më vonë në industrinë e flamujve për të ndryshuar historinë, flamujt e botës do ishin ende prej brozni dhe iranianët e sotëm do e kishin të pamundur të ushqenin qentë dhe hakmarrjen e tyre me simbolet e krenarisë së popujve të tjerë.
Në histori edhe flamuri edhe qeni janë përdorur nga njeriu gjatë luftës. Nëse nuk do kishte luftë nuk do kishte flamurë dhe nëse nuk do kishte qen do kishte më pak luftë. Në përgjithësi, popujt janë mbledhur rreth flamurit dhe janë mbrojtur nga qentë. Por në lashtësi ushtritë kanë përdorur qentë edhe për të sulmuar dhe pasi fitonin dhe merrnin plaçkën e të mundurve, qentë endeshin nëpër fushat me gjak duke shqyer flamujt armiq me dhëmbë.
Por, megjithëse duket e vështirë të ketë paqe mes flamujve dhe qenve ka ndodhur që qenve i është besuar mbrojtja dhe ruajtja e flamurit të një vendi apo të një populli.
Pra ka popuj që ua kanë besuar flamurin e tyre qenve.
Qentë, pasi e kanë marrë flamurin në mbrojtje, mund të mos e kenë kthyer më dhe kjo ka sjellë që disa popuj mund të jenë udhëhequr për një kohë nga qentë e tyre.
Këta janë qen me flamur.
Ata jetojnë në paqe dhe nuk e sulmojnë flamurin sepse ai është flamuri i tyre dhe mund të flenë rehat sa të duan, sepse e dinë që popujt janë lodhur dhe nuk bëjnë më asnjë përpjekje për të rimarrë flamurin.
Atëherë të gjitha palët flenë edhe popujt edhe qentë dhe flamuri valëvitet duke përsëritur vazhdimisht një ushtrim fizik si ai që bëjnë njerzit kur shtriqin gjymtyrët çdo mëngjes, por pa kryer funksionet e tij bazë, atë të udhëheqjes, të drejtimit dhe të krenarisë kombëtare.
Qentë ia kanë ndaluar flamurëve këto funksione, sepse qentë nuk kanë krenari dhe meqë nuk kanë as arsye, udhëhiqen nga instiktet, jo nga qëllimet.
Flamujt që lëvizin në ajër shërbejnë vetëm për t’u kujtuar qenve se historia fryn në drejtimin e tyre.
Kështu ka ndodhur edhe në këtë foto që e shkrepa së fundmi, në një fshat të Shqipërisë, të cilit nuk po ia them emrin, sepse nuk dua ta damkos si një fshat që ua ka lënë flamurin qenve.
Ne këtë fotografi, qeni është në diell dhe flamuri është në hije që do të thotë se populli po fle.
Unë po e postoj me shpresën se qentë do vazhdojnë të flenë dhe njerëzit do zgjohen për të marrë në dorë flamurin e tyre.