Ben Blushi: Referendum për Reformën në Drejtësi

 

Ben Blushi foli sot ne parlament. Po botojme nje pjese nga fjala e tij mbajtur gjate seances .

"…….Po të isha sot një nga anëtarët e PD-së natyrisht nuk do të shkoja tek protesta e PD-së, jo sepse jam kundër por e shoh me keqardhje se nuk keni asnjë mundësi për të frymëzuar ata që vërtet duhen frymëzuar sot në Shqipëri.

Protesat e sotme, nuk ishte protestë por çrregullim në trafik, nuk po e krahasoj me atë para një jave, që ishte më e madhe. E dini si ishte ajo si një takim i muratorëve të pavarur. Se kur ju pashë që shkuat e i ratë atij bunkeri, që mua nuk më pëlqen fare, mu kujtuan pamjet e vitit 1998. Jua them pse.

E para dy fjalë për bunkerin që e kthyhet në tallaz. Nuk jam dakord me ata që thonë se bunkeri është një vepër arti, gjëja më e mirë që bëtë atë ditë është se ju hoqët ato teneqetë dhe ne e pamë çfarë ishte aty mbrapa.

 Dy fjalë për bunkerin. Sigurisht që nuk është vepër arti dhe ne që jemi të këtij krahu, sidomos, duhej të ishim pak më të kujdesshëm.Për arsye historike të mos ringjallnim simbole që dikë e lëndojnë. Të quash bunkerin një vepër arti është si një shtyllë betoni ta quash skulpturë, apo një zhgarravinë në rërë, vizatim. Nuk është vepër arti, por kjo nuk është çështja.

Atë ditë mu kujtuan dy data që kam qenë vetë, 14 shtator 1998 dhe 21 janar 2011.  Jeni e vetmja parti që dhunoni edhe kur jeni në pushtet dhe në opozitë. Nuk mund t'i bëjë njeriu të dyja. Më 14 shtator i ratë institucioneve, zyrat ku ne punonim u mbushën me plumba atë ditë. Ishte grusht shteti. Më 21 janar vratë 4 vetë, por pyetja ime është se ku do shkoni, sepse dy mundësi keni:  drejt 21 Janarit, apo 14 shtatorit, nuk ka mundësi të tretë.

Sot dëgjova deputetët që thanë kemi një plan dhe plani ka dy kërkesa: Qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.  Është normale që çdo opozitë ta kërkojë, por dua tju them një gjë:  Doni qeveri teknike?! Po pse, teknike është qeveria që kemi ne, pak a shumë. Doni qeveri më politike se kaq?! Por nuk do të ishte mirë as për ju. Doni një qeveri më politike se kaq?! Sigurisht kjo maxhorancë mund tua japë, por dhe për ju do ishte më keq.

Mos kërkoni atë që vjen pas është më keq për ju. Kërkoni zgjedhje të parakohshme. Është normale, e kemi kërkuar çdo ditë për 8 vjet rresht. Po flitet shumë për reformën në drejtësi dhe perceptimi i përgjithshëm i joni, i ndërkombëtarëve është se ju nuk e doni reformën në drejtësi.Nuk e do PD. Në fakt nëse ka diçka që duhet diskutuar është reforma në drejtësi. Unë nuk e kam parë draftin dhe do ishte e mirë të dinim çfarë ka dhe kolegëve të mi ia kërkoj. Ka ardhur koha që të bëhet prezent. Unë nuk besoj se ju do keni mundësi të rezistoni dhe ta bllokoni reformën në parlament.

E megjithatë nëse e bëni ka rrugë tjetër, që zgjidh dhe ezauron nevojën tuaj për zgjedhje të parakohshme. Shkojmë në referendum.  Mund të bëhet referendum për reformën në drejtësi.

Dhe referendum në fakt janë zgjedhje të parakohshme. I keni të dy mundësitë pra. Edhe qeverinë teknike ja ku e keni edhe referendum që në fund të fundit janë zgjedhje të parakohshme.  Ikim në referendum edhe miratojmë reformën në drejtësi sepse është e dosmosdoshme . Rrugë tjetër siç po e thonë dhe ndërkombëtarët çdo ditë për të pastruar politikën nuk ka. Kjo klasë politike nuk është pastruar dot me zgjedhje as të kohshme, as të parakohshme, por ka ardhur koha të pastrohet nga drejtësia. Reforma në drejtësi qoftë me referendum, qoftë me këtë parlament mund të jetë mundësia e artë për ta kryer.

Sot kemi një ligj të rëndësishëm për decentralizimin.

 Ky ligj është shumë i mirë i domosdoshëm për shkak të reformës territoriale. Kjo reformë do të ishte e mangët dhe e paplotë nëse nuk e shoqërojmë me këtë paketë.

Ligji garanton se reforma territoriale është funksionale. Ndryshuam hartën e Shqipërisë duke e bërë me 61 bashki. Nuk besoj se çdo qytetar e ka prekur ndryshimin që sjell reforma territoriale. Nuk preket nëse nuk shërbehet. Dilema është se kush janë raportet e qeverisë qëndrore me atë lokale. Kush janë kompetencat që qeveria qëndrore nuk do ti mbajë, por në fakt nuk do t'ia lëshojë.

Ky ligj është për t'u përgëzuar. Mendoj se qeveria duhej të kishte shkuar pak më larg. Të kishte pak më shumë guxim të prekte disa çështje. Kur do të vijë dita kur mësuesit të mos i emërojë ministria, por bashkia, apo infermierët t'i emërojë kryetari i bashkisë. Kjo brenda disa kritereve dhe kryetari i bashkisë duhet të jetë përgjegjës.

Në Kosovë nuk ka debat për politizimin e mësuesve, sepse mësuesi ka status. E emëron kryetari i bashkisë, dhe nuk mund ta heqësh sepse ndryshohet kryetari i bashkisë. Duke ia kaluar pushtetit lokal ne e forcojmë rolin e mësuesit.

Tjetër është asimetria. Qeveria thotë se ky ligj është asimetrik. Pra kompetenca që i jepet një bashkie të madhe nuk ia jep dot një të vogel. Kjo nuk e ndalon procesin e decentralizimit.I jep mundësi një bashkie më të madhe, që ka më shumë resurse njerëzore të marrë disa kompetenca para të tjera.

Edhe çështjet e trafikut të kalojnë bashkisë.

Ka ardhur koha që ti kishim dhënë kryeqytetit tonë një status tjetër, atë të metropolit.

Kur vjen puna te decentralizimi asimetrik besoj që ka ardhur koha që ne t’i kishim dhënë kryeqytetit tonë një status tjetër, një status me ligj statusin e metropolit.Tirana është metropol. Ka preçedent në botë kur qytetet shumë të mëdha mbi 1 milionë banorë, po themi, jashtë kthehen në metropol. Do të thotë që kanë disa kompetenca më shumë se sa bashkitë e tjera. Tirana s’mund të ketë po ato kompetenca si bashkitë në Tepelenë apo në Tropojë apo në Kukës apo në Sarandë që janë natyrisht më të vogla dhe fatkeqësisht po vijnë duke u zvogëluar se erozioni demografik nuk ka mbaruar.Njerëzit vazhdojnë ikin nga zona të thella, nga zona ku ka dimër të gjatë, ku nuk ka punë. Ndoshta nuk ka burime njerëzore dhe natyrore të mjaftueshme. Tirana do vazhdojë të rritet. Ka arsye të kthehet në një metropol.Unë besoj që mund të ishte një ligj i veçantë për kryeqytetin pra të shpallej një metropol , një njësi ekonomike e cila ka kompetenca më shumë se bashkitë e tjera.Po prap mendoj që ky është një debat që duhet të vazhdojë për mënyrën se si do ta organizojmë shtetin tonë sepse ligji për decentralizimin në fakt është ligj për mënyrën si do qeverisim në 10 apo 20 vitet e ardhshme.Kjo tendencë është e pashmangshme.

Sigurisht do vazhdojmë kushdo qoftë në pushtet t’i japi më shumë kompetenca pushtetit lokal sepse është e vetmja rrugë që shpëton qeveritë nga obeziteti , nga korrupsioni dhe i çon në fund të fundit shërbimet më pranë qytetarit.Kështu që ju inkurajoj të gjithëve sidomos opozitën që ta votojë këtë ligj për decentralizimin sepse i kujtoj që në vitin 2001 kur është bërë ligji i kaluar, ai ligj është votuar bashkarisht.Është dita sot për ta votuar bashkë sepse është një ligj për pushtetin lokal i cili në fund të fundit nuk ka as demokratë as socialistë….

SHKARKO APP