Ben Blushin e masakron gazeta e Koço Kokëdhimës

 

Sot krejt shtypi shqiptar kishte në mënyrë korrekte fjalën e Ben Blushit mbajtur dje në Parlament, ku ai as më shumë e as më pak tha se kriminelët në Parlament i kanë sjellë kryetarët e partive e jo populli. Me këtë Kod Zgjedhor populli nuk voton direkt emrin e deputetit që dëshiron, porse mbetet i detyruar të votojë atë që do Rama e Basha.

Në momente të caktuara kritikave të Blushit u janë përgjigjur Erion Braçe dhe Taulant Balla, apo deputetë të tjerë më pak të njohur në grupin parlamentar të selisë rozë. Deri dje, duket se ka qenë një porosi e Ramës dhe këshilltarëve të tij që të anashkalonin sulmet ndaj Blushit. Kritikat e Blushit edhe pse reale, janë përdor nga Rama dhe njerëzit afër tij si justifikim për të thënë se në “PS ka liri fjale dhe mendim ndryshe”. Disa muaj më parë, me porosi nga kupola e PS, në korridoret e partisë qarkulluan disa ide për marrje masash ndaj Blushit. Por më pas drejtuesit e partisë nxituan të thonë se ne nuk jemi si PD-ja që përjashtojmë njerëz. Edhe në këtë rast socialistët nuk u morën me thelbin e kritikave të Blushit, por po i përdorin qëndrimet e tij si aset të mendimit ndryshe dhe pse shumë prej tyre do ishin gati të votonin masa penalizuese ndaj tij.

Por rritja e dozave të kritikave të Blushit ndaj reformave të qeverisë dhe personalisht ndaj Ramës duket se ka shkaktuar irritim tek njerëzit e Kryeministrit. Koço Kokëdhima cilësohet si njeriu më i afërt dhe më me ndikim tek Edi Rama. Ndaj dhe sulmi i nisur sot nga gazeta në pronësi të Kokëdhimës duket se është ose porosi  e Ramës, ose një shërbim që deputeti i bën Kryeministrit.

Nuk është çudi që një deputetët që i drejtohet Kryeministrit me shprehjen “biri im” ta udhëzojë atë dhe për mënyrën sesi duhet të sillet me kundërshtarët brenda partisë. Megjithatë në fjalimin e radhës në parlament, Blushi nuk do të flas vetëm për deputetët e inkriminuar, por mund të lëshojë silura dhe për mediat dhe njerëzit afër Kryeministrit që e kanë vënë në qendër të sulmeve.

Siç duket, tashmë që gazeta “Zëri i Popullit” nuk botohet më, rrufetë e kryetarit bien nga gazeta e Koço Kokëdhimës. Fjalimin e Ben Blushit, gazeta Shekulli ka zgjedhur ta gjykojë mes tavolinave të lokalit në Partinë Demokratike. Atje ku, siç shkruan gazeta bëhej “festë”, ndërsa Blushi fliste në parlament. Në përpjekje për të mbjellë frikën e “armikut të brendshëm” mes socialistëve, gazeta lë në plan të dytë mesazhin e Blushit për dekriminalizim. Fjalimin, gazeta e Koço Kokëdhimës e konsideron një “shfryrje” ndaj kryetarit.

“Ndërkohë që Blushi vijonte të shfrynte, siç di vetëm ai, duke i rënë pa asnjë kursim krerëve të partive për kriminalizimin, që sipas tij është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e tyre, lokali i PD-së tashmë është mbushur gati i gjithi”,- thuhet në shkrim. Kjo nuk është hera e parë që gazeta e Kokëdhimës sulmon Ben Blushin, kur ai replikon me Ramën. Ky i fundit ka zgjedhur të heshtë dhe nuk i është përgjigjur asnjëherë direkt kritikave të forta të Blushit. Ky vakum i lënë nga Rama në debat, përpiqet të mbushet nga gazeta e Kokëdhimës. Në shkrim, gazeta sjell reagimin e simpatizantëve demokratë për Ben Blushin, por nuk thotë asnjë fjalë për reagimin e simpatizantëve socialistë gjatë kohës që flet Ben Blushi. Nuk është çudi që edhe në lokalin e Partisë Socialiste, reporterët të dëgjojnë të njëjtat shprehi miratuese kur flitet për kriminalizimin e parlamentit dhe të partisë.

Shkrimi i plotë i gazetës Shekulli

Blushi shan Ramën, festë në PD

Vetëm disa sekonda pasi deputeti i PS-së Ben Blushi nisi fjalimin e tij në Kuvend, grishjes me zë të lartë të kamerierit për ta ndjekur i përgjigjen pa përjashtim demokratët, gazetarët dhe qytetarët që pinin kafe për qejfin e tyre në lokalin që gjendet në oborrin e “selisë blu”. Ende pa u sistemuar mirë në tavolina, njëri nga dera e lokalit, me dialekt verior urdhëron: “Ngrije pak zanin”. Për më shumë se tre minuta brenda lokalit të PD-së nuk pipëtinte njeri veç Ben Blushit. Heshtja e vënë nga deputeti socialist “prishet” nga fjalia: “Ky po që është opozitar dhe jo këta tanët”. Edhe pse në parim të gjithë janë dakord me atë që tha simpatizanti demokrat, ajo sërish nuk u përtyp krejt kollaj nga disa prej demokratëve që ndodheshin aty. Fraza që lëshoi ai ishte më djegëse se vet fjalimi i Blushit, dhe demokrati pas ca sekondash u mundua ta ndreqë duke thënë: “Vetëm për këtë dhe Berishën vlen të ndiqet Kuvendi”.

As krahasimi me liderin shpirtëror të demokratëve nuk arriti të thyejë zymtësinë që solli deklarata e tij me zë të lartë. Ndërkohë që Blushi vijonte të shfrynte, siç di vetëm ai, duke i rënë pa asnjë kursim krerëve të partive për kriminalizimin, që sipas tij është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e tyre, lokali i PD-së tashmë është mbushur gati i gjithi. Aty nga mesi i fjalimit të Blushit, në tavolinën  ku qenë mbledhur gazetarët që mbulojnë akvitetet e të djathtës thyhet heshtja. “Këtij nuk ke se çfarë t’i heqësh. Është gjynah të mos e botosh të gjithën pa i prekur asnjë radhë”, thotë Juxhini, njëri prej gazetarëve. Blushi politikan kishte tërhequr edhe vëmendjen e dy kamarierëve dhe dy banakierëve. Të gjithë duke ndjekur fjalimin me patos të socialistit që sulmonte kreun e socialistëve, veçmas.

Edhe kreu i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, i ulur në një vend të veçuar nga turma dhe larg televizorit ndiqte me shumë interes fjalimin antiqeveritar të deputetit të PS-së. Fjalimi i tij shoqërohet me duartrokitje të një prej demokratëve dhe me vlerësime pafund për gati një orë. Dy minuta pasi Blushi mbaroi fjalimin e tij, nga porta e Kuvendit shihen duke dalë pjesa më e madhe e ligjvënësve demokratë. Por ndryshe nga të enjtet e mëparshme ata preferuan të futen në “selinë blu”, duke i ikur përballjes me simpatizantët e kafenesë së PD-së. “Dhe deputetët e PD-së duket e kanë kuptuar se Blushi i tha të gjitha”, komentohet nga një demokrat ikja e tyre nga kuvendi. Ndërsa një tjetër shton: E patë që fjalimi i Blushit detyroi disa socialistë e demokratë të uleshin në radhët e fundit të sallës së parlamentit, larg kamerave. Më duket se ishte dhe Berisha nga fundi. Kjo ishte kafe e hidhur për të gjithë”‎.

Në fakt ajo ishte si një kafe e hidhur.  E fortë, por që e jep efektin, të zgjon, të shkund. E tillë që dhe mund të mos shijojë, por të duhet, “ta do trupi” për të qenë esëll. E ndoshta këtë shije la te demokratët ai fjalim, që ndoshta ia dinin fjalët, por nuk arritën t’i formulonin. Entuziazmi për fjalët e deputetit socialist u venit pak pas përfundimit, pasi ndoshta janë parë në sy si për t’i thënë njëri -tjetrit: ti s’munde ta bëje. Ndoshta shumë simpatizantë demokratë brenda dhe jashtë oborrit të SHQUP-it do të donin një deputet të tillë  antiqeveritar që e djathta s’po arrin të prodhojë. Ose për tu treguar pak më altruistë, ndoshta mund të jetë, por askush s’e lë të flasë, pasi për fat të keq, shpesh “demokracia” mbetet thjesht një fjalë.

Fjalimi i Blushit në Parlament

Deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi ka shfrytëzuar debatet e ligjit për dekriminalizimin për të hedhur në parlament në mënyrë të hapur akuza të reja kundër Edi Ramës. Megjithëse ka deklaruar votën pro ligjit ai e ka quajtur atë: “Një ligj i paplotë dhe i pazbatueshëm deri sa burimi që solli kriminelët në parlament është vetë i papastër”. Deklarata e Blushit ka qenë e qartë sepse edhe herë të tjera ai e ka akuzuar shefin e PS-së për futjen e kriminelëve në kuvend dhe përdorimin e tyre si për të luftuar kundërshtarët politikë, po ashtu edhe ata brenda llojit.

Blushi ka bërë një paralelizëm të qartë kur deklaroi se: “Njerëzit me të shkuar kriminale këtu nuk erdhën me votat e tyre. Ata iu imponuan Shqipërisë me forcë duke u futur në listat e partive tona. Kjo damkë nuk do t’i ndahet këtij Kuvendi ndoshta për disa dekada dhe nuk me vjen fare keq te them se këtu përgjegjësia nuk është kolektive, por është vetëm personale. Është e atyre që i sollën këtu duke i trafikuar, duke i korrektuar, duke i zbukuruar dhe duke i parfumosur për ta kthyer shëmtinë në normë. Të jesh i fortë dhe i paprekshëm është kthyer në mode. Kjo modë rrezikon të infektojë, shoqërinë tonë dhe kryesisht të rinjtë. Çfarë i themi ne të rinjve të Shqipërisë duke zgjedhur në poste publike njerëz të paarsimuar të cilët rrugën e jetës së tyre e kanë çarë duke shkelur ligjet shqiptare apo ndërkombëtare? Ja çfarë i themi: Mos përdorni mendjen, por muskujt”, është shprehur Blushi.

SHKARKO APP