Beqaj: 97 specializime të reja në mjekësi në vitin akademik 2015-2016

 

97 specialistë të rinj do t’i shtohen trupës së mjekëve shqiptarë, në vijim të procesit të nisur një vit më parë me rifillimin e 380 specializimeve në mjekësi, pas boshllëqeve të pajustifikueshme shumëvjeçare që trashëguam nga qeverisja e mëparshme. Lajmi u bë i ditur gjatë takimit të sotshëm (20/11/2015) që Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Mira Rakacolli, dhe Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Arben Gjata, zhvilloi me studentë dhe përfaqësues të fakultetit e profesoratit të mjekësisë gjatë zhvillimit të proçesit të shpalljes së fituesve dhe lidhjes së kontratave me specializantët e mjekësisë në mjediset e Fakultetit të Mjekësisë.

“Sot është dita që shpërndajmë kuotat e specializime për ata që kanë konkuruar për specializimet afatgjata në fushat e mjekësisë për vitin 2015-2016,” thotë znj. Rakacolli, duke theksuar se ky “është një proces i cili ka mbi dy javë që ka filluar, ku kandidatët kanë ardhur pas një procedure konkurimi, që ka qenë tepër transparent, i cili është ndjekur nga të gjithë”.

Kandidatët që kanë arritur në finale, shton më tej ajo, kanë qenë më të mirët, që morën më shumë pikë nga mesatarja e studimeve në Fakultetin e Mjekësisë, nga intervista që u zhvillua përpara se të dilnin rezultatet dhe nga testimi i informatizuar që u zhvillua në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, ku studentët i’u përgjigjën 100 pyetjeve të përzgjedhura në mënyrë rastësore nga një fond prej 5 mijë pyetjesh me përgjigje të hapura.

“Siç po e shikoni edhe sot, procesi i përzgjedhjes po bëhet krejtësisht transparent, në bazë të meritës,” sqaron Dekania, duke theksuar se, ai që ka fituar më shumë pikë dhe është renditur i pari, zgjedh i pari; ai që është renditur i dyti, zgjedh i dyti, e kështu me rradhë.

Ndërkohë, Ministri Beqaj tha midis të tjerash se kjo fazë përmbyllëse e procesit të përzgjedhjes së specializimeve në mjekësi, “është konfirmimi i angazhimit tonë, që boshllëqet e krijuara në shumë vite në trupën e profesionistëve të shëndetësisë, sidomos të mjekëve, të mund t’i plotësojmë,” duke theksuar se ky është “viti i dytë, që besoj se do të hyjmë në një rregull që duke bërë këtë proces çdo vit, të mund të krijojmë vijimësinë.”

Sigurisht,  tha më tej kreu i shëndetësisë, “që ne ende kemi boshllëqe në trupën e mjekëve, sidomos në spitalet e vendit dhe këtë në kontratën me specializantët, kemi një element të ri ndryshe nga vjet, që nuk caktohet që tani në kontratë kush është spitali ku do të punojnë, por në fund të specializimit, sipas specialitetit të tyre t’iu përgjigjen nevojave që do të ketë Ministria e Shëndetësisë, pra pas 4 vjetësh.”

Gjithashtu, z. Beqaj përgëzoi Fakultetin e Mjekësisë, Universitetin e Mjekësisë, pedagogët për angazhimin dhe specialitetet që e kanë kryer këtë gjë, dhe u shpreh i gëzuar që, edhe këtë vit procesi ka qenë i rregullt, i drejtë e transparent, dhe ka rikthyer realisht besimin e atyre që duan të bëhen mjek, ku nuk ka më vend për praktika korruptive, siç është përfolur deri para disa vitesh. Ministri shfrytëzoi mundësin për t’iu uruar suksese kandidatëve që fituan sot të drejtën e specializimit, të cilën e kanë pritur prej vitesh.

Në bazë të V.K.M., Nr. 808, datë 3.10.2015, janë 97 kuota të reja pranimi që ofrohen në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, për programet e specializimeve afatgjata, të ciklit të tretë të studimeve, me kohë të plotë, për vitin akademik 2015-2016.

 

SHKARKO APP