Beqaj: Planifikimi familjar është një e drejtë njerëzore

Në  vigjilje të 26 shtatorit, Ditës Botërore të Kontracepsionit, Ministri i Shëndetësisë mori pjesë në takimin avokues me temë “Qasja e integruar ndaj shërbimeve të Planifikimit Familjar në Shqipëri”, të organizuar nga Qendra Kombëtare e Telemjekësisë, në bashkëpunim me USAID, Ministrinë e Shëndetësisë dhe UNFPA.

 

Çdo vit, më 26 shtator organizohet Dita Botërore e Kontracepsionit. E lançuar për herë të parë në vitin 2007, kjo nismë mbarëbotërore synon rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit për vizionin e një bote ku çdo shtatzëni të jetë e dëshiruar. Misioni i saj është të përmirësojë ndërgjegjësimin rreth të gjitha metodave të kontracepsionit, për të mundësuar që çdokush të bëjë zgjedhje të informuara lidhur me shëndetin seksual e riprodhues, për të pakësuar numrin e rritur të shtatzënive të paplanifikuara, aborteve dhe Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme.

 

Duke falënderuar të gjithë partnerët dhe veçanërisht USAID-in dhe UNFPA-në, për mbështetjen e ofruar që në vitin 1996 në këtë drejtim, Ministri Beqaj theksoi në fjalën e tij se “nga viti 2010 e në vijim, Qeveria Shqiptare siguron 100% mbulesën kontraceptive me fondet e veta për sektorin publik, pa qenë e varur nga ndihma e dhuruesve të huaj.”

Aktualisht, vazhdoi më tej z. Beqaj, “MSH me mbështetjen e UNFPA-së, ka filluar përpjekjet për adoptimin e konceptit “Total Market Approach” – ose “Qasja Tërësore e Tregut”, – e cila merr në konsiderate rolin e sektorit publik, sektorit tregtar dhe organizatave jo-qeveritare në sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm të popullates me kontraceptivë”.

“Planifikimi familjar është një e drejtë njerëzore (e drejta e çifteve dhe e individëve për të vendosur mbi riprodhimin e tyre në të ardhmen), theksoi kreu i shëndetësisë, duke shtuar se “ka ende shumë për të bërë për të siguruar që meshkujt dhe femrat të kenë akses ndaj këtyre shërbimeve dhe informacioneve që ju nevojiten për të ushtruar të drejtat e tyre”.

“Për të pasur një komb të shëndetshëm, veçanërisht gratë dhe familjet duhet të jenë në gjendje të menaxhojnë numrin e fëmijëve në familje në mënyrë të shëndetshme. Kontraceptivët modernë, të sigurt dhe efektivë, duhet të bëhen pjesë e stilit të jetesës së njerëzve, një alternativë e shëndetshme kundrejt aborteve”, e mbylli fjalën e tij z. Beqaj.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në Takimin: “Qasja e integruar ndaj shërbimeve të Planifikimit Familjar në Shqipëri”.

SHKARKO APP