Berisha: 17 nëntori shënon zëvendësimin e një pushtimi të huaj, me një pushtim barbar që do të zgjaste 46 vite

Partia Demokratike ka përkujtuar sot, atë që e cilëson si 80-vjetorin e vrasjes së 39 intelektualëve të Tiranës.

Pjesë e aktivitetit, që u zhvillua në rrugën “George W Bush” para parlamentit, nga kreu i Shoqatës së të Përndjekurve Besim Ndregjoni, ishte online edhe kryetari i PD-së Sali Berisha.

Berisha tha se kjo ditë shënon zëvendësimin e një pushtimi të huaj, me një pushtim të egër, barbar, të brendshëm që do të zgjaste, jo 1 apo 2 vite, por do të zgjaste 46 vite.

“Me 17 nëntor banda terroriste e Enver Hoxhës, e shndërruar totalisht në vegël të Beogradit, do të vendoste në Tiranë pushtetin e saj, pasi kishte shndërruar luftën e shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar, në një luftë vëllavrasëse antikombëtare. Ne sot, nderojmë 39 viktima të masakrës tetor-nëntor. Në fakt ato janë mbi 100”- tha Berisha.

Në këtë ditë tha Berisha, “nderojmë një nga masakrat, aktet terroriste më të shëmtuara të regjimit, e projektuar nga të dërguarit e Beogradit, dhe përfaqësuesi i tyre në Shqipëri, Enver Hoxha”.

Berisha shtoi se  “sot, pas 80 vite e vërteta është se Shqipëria, përjeton një diktaturë të re, e cila nuk ka të shpallur si ideologji udhëheqëse, ideologjinë marksiste-leliniste, por e cila përdor të gjitha metodat terroriste të saj, për të mbajtur pushtetin, për të kontrolluar vullnetin e shqiptarëve, për të kontrolluar ekonominë e tyre, mediat, shoqërinë civile.
Pra sot jemi në një diktaturë të re, e cila ka në krye bastardët e atyre që ekzekutuan si në vitin 1944, ashtu si në vitin 1988, të shekullit që shkoi, kundërshtarët politikë, Edi Rama, Belinda Balluku, etj.”

“Detyrimi ynë sot dhe nderimi më i madh që mund ti bëjmë sakrificës së martirëve të masakrës së tetor-nëntorit, por edhe mbi 6 mijë shqiptarëve të tjerë që ranë për tu bërë të pavdekshëm nga terrori i kuq komunist në burgjet dhe kampet e tij, dhe dhjetëra mijëra të tjerë, që u burgosën u persekutuan, është të ngrihemi kundër kësaj diktature”, tha Berisha.

ish-kryeministri Berisha tha gjithashtu se, “fitorja e presidentit Donald Trump duhet të frymëzojë çdo shqiptar, të angazhohet në këtë betejë për Shqipërinë”

“Kjo sigurisht nuk është një arritje vetëm për qytetarët e SHBA-së. Fitorja e presidentit Donald Trump është një arritje për njerëzit e lirë, një mrekulli për njerëzit e lirë në mbarë botën. Kjo fitore duhet të frymëzojë çdo shqiptar, me guxim dhe përkushtim, të angazhohet në këtë betejë shpëtimtare, për Shqipërinë, për shqiptarët”, tha Berisha.

Ai shtoi program i PD, prioritet do të ketë ish të përndjekurit politikë.

“Për ta mbyllur, dhe njëherë me nderimin tim më të thellë për martirët e masakrës tetor-nëntor 1944, për martirët që ranë për tu bërë të pavdekshëm në diktaturën më të egër që Europa njohu gjatë 46 viteve, familjet e tyre, të përndjekurit politikë, dhe ti garantoj se PD ndihet pafundësisht e detyruar ndaj kontributit të tyre, edhe në vetë ekzistencën e kësaj partie në momente të saj kritike. Dhe se, çështjet themelore të kësaj shtrese të nderuar, do të jenë çështje kryesore të programit të saj. Nderim përjetë kujtimit të martirëve të masakrës së tetor-nëntorit të terrorit të kuq në Tiranë”, përfundoi Berisha.

SHKARKO APP