Berisha: 7 korriku është veç fillimi, përgatituni për revolucion
Kryetari i demokratëve, Sali Berisha ka paralajmëruar një valë protestash. Sipas tij 7 korriku është vetëm fillimi i rrëzimit të qeverisë.
Berisha i ftuar në ”Euronews Albania”, tha edhe se qytetarët shqiptarë dhe të gjithë demokratët duhet të përgatiten për një revolucion që sipas tij është i vetmi që mund t’i japë fund një sistemi monist, siç e konsideron ai qeverisjen nga Edi Rama.
”Shoqëria shqiptare po zien, nuk po duron dot më. E dëshiron protestën, është një situatë pakënaqësie e jashtëzakonshme. Kjo do të shpërthejë më 7 korrik, si sipar i pafundëm protestash.
PD-ja është e vendosur për një opozitë shumëformëshe, në Kuvend e rrugë, por duhet të jemi të përgatitur sepse në një vend ku të gjitha pushtetet janë në duart e një partie, ku rendi kushtetues ka marrë fund dhe është dorëzuar në një parti, atëherë këtu vetëm një revolucion mund t’i japë zgjidhje dhe të përmbysë këtë sistem monist. Sot Rama ka pushtet më shumë se ç’kishte Ramoz Alia”.