Berisha akuza Ramës për tradhti të lartë kombëtare: Dorëzoi kompjuterët e muxhahedinëve në Iran
Edhe pse kryeministri Edi Rama ndodhet në turin e tij Ballkanik, Sali Berisha e ka akuzuar për tradhti të lartë kombëtare. Në një deklaratë për gazetarët jashtë sallës së Parlamentit, Berisha tha se Rama i ka dorëzuar qeverisë së Iranit, kompjuterat e muxhahedinëve.
“Një komunikatë e Frontit të Rezistencës së Muxhahedinëve, informon se 232 kompjutera të qendrës së Manzës, kanë përfunduar në Teheran. Kjo komunikatë është e zëdhënësit të qeverisë apo të Këshillit Informativ të Iranit.
Nëse kjo është e vërtetë, ky përbën një akt të tradhtisë më të lartë që mund t’i bëhet lirisë, që mund të jetë bërë ndonjëherë në Shqipëri, kur një grup njerëzish, rezistentë ndaj njërit prej regjimeve më gjakësore, ju kujtoj se janë ekzekutuar nga ajatollahët 300 të rinj dhe të reja, të cilët kanë protestuar dhe protestojnë për liritë dhe të drejtat njerëzore.
Rikujtoj këtu se regjimi i ajatollahëve është regjimi më i implikuar në tragjedinë, në agresionin rus në Ukrainë. Pasi dronët kamikazë të prodhuar në Iran, po vrasin dhe kanë vrarë qindra e mijëra civilë në një vend të lirë të agresuar nga Rusia”,-tha Berisha.