Berisha akuzon qeverinë: Vjedhje me buxhetin e 2024, bujqësia sektor i harruar
Sali Berisha i pranishëm në diskutimet për buxhetin e vitit 2024, tha se historia e buxhetit është vetëm vjedhje. Duke folur për bujqësinë dhe Shqipërinë rurale, ai u shpreh se ky është sektori më i harruar dhe i lënë pas dore.
Fjala e plotë
Ju përshëndes përzemërsisht dhe falënderoj organizimin e këtij takimi lidhur me buxhetin në këto fusha shumë të rëndësishme të jetës së vendit. Dua të them në krye të radhës se këto fusha janë dhe fushat e abuzimeve më të paimagjinueshme me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Të lexosh buxhetin për bujqësinë dhe Shqipërinë rurale, shumë nga ju keni fatin e mirë të mos e keni lexuar, por ata që e lexonin, që kujtojnë planet 5 vjeçare të regjimit diktatorial mendojnë se janë duke lexuar një dokument të atij karakteri.
Një dokument që natyrisht në diktaturë kishte domethënien e vet, kurse sot ai është një përqeshje, tallje, cinizëm ndaj jetës, punës, të mbi 40% të shqiptarëve. Ky sektor i cili ka specialistë të mrekullueshëm, të përkushtuar, të aftë, që e njohin mirë atë, kanë vendosur në krye një person, e cila flet sikur vjen nga Marsi. Flet sikur nuk ka asnjë lidhje me atë sektor apo me këtë vend, shpall shifra dhe përqindje që turpërojnë çdo njeri dhe në fakt me të gjitha mbulon një mashtrim të madh, ndaj këtij sektori jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Nëse ka një sektor të cilin kjo qeveri e ka shpallur prej vitesh armik, është sektori i bujqësisë dhe Shqipëria rurale. Po të studioni sistemin fiskal, nuk e gjen mbi tokë një sistem të tillë ndëshkues për prodhuesin siç është sistemi aktual. Por po të dëgjosh ministren e re që thotë, se Shqipëria është me 6 mln lopë, tani e kuptoni vetë ju se ca lidhje ka kjo me fshatin dhe Shqipërinë.
Ky pohim i saj është skandaloz dhe lexohet në çdo paragraf të buxhetit që kanë paraqitur për fermerët. Në të gjithë statistikën e përqindjeve në tërësi nuk ndalet në vitin 2024, por flitet për vitin 2025-2026, mbasi gjithçka është falsitet dhe duhet të rreshtojnë përqindje, shifra se si e ti të mbulojnë injorimin e plotë të këtij sektori të një rëndësie shumë të madhe, për jetën e 40% të popullatës, por edhe për ekonominë e vendit në tërësi.
I gjithë qëndrimi i qeverisë aktuale ndaj këtij sektori përbën një piramidë të vërtetë mashtrimesh dhe falsifikimesh dhe në fund reduktohet në një shifër dhjetëra milionë euro, e cila në shumicë përfundon në xhepat e qeveritarëve hajdutë. Në rast se ndaleni te infrastruktura nuk ekziston një sektor tjetër në Shqipëri, Europë dhe botë ku vidhen paratë e taksapaguesve si në rrugët e Shqipërisë. Tashmë është e faktuar se çmimi i rrugëve në Shqipëri është të paktën 10 herë më i madh se sa çmimi që del nga manualet e tyre.
Edi Rama ka sjellë në infrastrukturë një metodë të cilën ai e përdorte gjatë viteve si kryetar bashkie, për të vjelë gjoba. Cila ishte metoda? Ndërtuesi që ndërtonte pallatin, ta zëmë me 4 hyrje, merrte lejë për vetëm 2 hyrje. Për dy të tjerat do të merrte leje tjetër se duhej të paguante ryshfetin tjetër.
Çfarë ndodh tani? Ndodh ndarja në lote, me të cilën çmimi i ndërtimit të unazës në Tiranë shkon 50% më shumë se çmimi i ndërtimit të tunelit të Kalimashit, i cili kushtoi sepse siç e dini pati dhe problemin e vet. Me gjithë problemin që pati, çmimi që paguajnë qytetarët e Tiranës për të ndërtuar unazën kudo në fushë ishte mbi 50% më shumë se çmimi që u pagua, nuk po them për Kërrabën se është edhe akoma më i lirë, por çmimi i ndërtimit të Tunelit të Kalimashit për kilometër.
Rruga e Arbrit shkon 11 mln në një kohë kur një autostradë në Kroaci, 27 metra e gjerë, ndërtohet me 2.8 mln euro. Rruga e Arbrit shkon 11 mln euro kur një autostradë e përmasave më të mëdha me të gjitha veprat e artit, 27-28 metra e gjerë, ndërtohet në SHBA me 12 mln euro.
Rruga Kardhiq-Delvinë, përfundon pjesa e pambaruar sepse një pjesë e madhe u mbarua para vitit 2013, nga 70 mln euro shkon në 240 mln euro. Rruga që nuk përfundon ndonjëherë Qukës-Qafë Plloçë. A mund të imagjinoni ju që rrugës ja ndryshojnë projektin vetëm e vetëm që lotet të mos përputhen me njëri-tjetrin. Dhe ka në mënyrën më kriminale dy mospërputhje të mëdha. Se do të zgjatet dhe sa më shumë të zgjatet aq më shumë vidhet.
Ky është buxheti. Po të kaloni në fushën e energjisë, vjedhjet janë edhe aty stratosferike. Sektori privat sot prodhon 48% të energjisë së vendit, falë asaj strategjie që u ndoq për shfrytëzimin e ujërave. Ndërtimi i kaskadave dhe i HEC-eve në zona të ndryshme mbulon sot 48% të nevojave. E gjithë vjedhja përsëri bëhet me kaskadën e Drinit.
Në vend që ajo të shërbejë si një rregullator absolut i çmimeve të energjisë në vend, ajo është shndërruar në një lubi, me të cilin qeveria e qeveritarët, Rama-Balluku, etj., vjedhin duke e zbrazur atë dhe duke importuar në kohë kur çmimet janë maksimale, vjedhin me qindra milionë euro. Ky sektor që nuk asnjë përmirësim ka gllabëruar në këto vite 1.1 miliardë euro investime. Vetëkuptohet njëlloj si në fushat e tjera, 80-90% të tyre të vjedhura. Historia e buxhetit është vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje. Faleminderit!