Berisha akuzon Ramën për spastrim kombëtar: Kush arreston 22 mijë shqiptarë në vit, 22 mijë herë kriminel
Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se largimi i kryeministrit Rama është emergjencë kombëtare.
I ftuar në RTV Ora ai e akuzoi kryeministrin për spastrim kombëtar, duke deklaruar se vetëm në katër vite të qeverisjes së tij janë larguar 420 mijë shqiptarë nga vendi.
Sali Berisha: Ky zbaton me fanatizëm politikat e spastrimit kombëtar. Dhe Vaso Čubrilović do ta dekoronte këtë njeri.Janë larguar 420 mijë shqiptarë në katër vite në një kohë kur Shqipëria sot nuk është Shqipëria e vitit 1991 me 204 dollarë për frymë, është me 12 mijë dollarë për frymë sipas fuqisë blerëse. Kjo ndodh se zbatohen politika që nuk u lënë alternativë tjetër. U vritet shpresa. Nëse ti arreston për çështje civile 22 mijë shqiptarë në vit, ti je 22 mijë herë kriminel atë vit. Çështja civile është cështje civile dhe ai arreston ata vetëm që të ikin nga Shqipëria.
Nëse ti shkon dhe shemb në një vit 9500 biznese dhe ndërtime dhe i lë të tjerët në qiell të hapur u thua largohuni masivisht nga Shqipëria. Nëse ti heq me një të rënë të lapsit 25 mijë njëherë dhe 20 mijë njëherë familje nga ndihma ekonomike ti u thua zhdukuni nga Shqiëria se këtu nuk keni vend, nëse për 6 vjet me radhë bllokon rrogat në një akt kriminal dhe i rrit vetëm njëherë në vit elektoral që nuk përbën as 1/3 e inflacionit i fut familjet shqiptare në dëshpërim. Sot Shqipëria nga një vend që kishte rrogën mesatare më të lartë në rajon sot e ka më të ultën në rajon dhe çmimet më të larta. Është emergjencë kombëtare largimi i tij një minutë e më parë.