Berisha: Burri i ministres bëhet investitor strategjik, kurse biznesmeni i ndershëm falimenton
Sali Berisha, teksa ishte i pranishëm në Shijak ku prezantoi kandidatin për këtë bashki, hodhi akuza edhe për qeverinë. Berisha tha se Rama paguan nga 22 milionë euro për udhëtime me charter me dhomë gjumi dhe 4 milionë euro për një vazo të vendosur në Kryeministri. Kryedemokrati tha se burri i ministres, si investitor strategjik, merr me 1 euro pasuritë përrallore në bregdet, ndërkohë që sipas tij, një biznesmen i ndershëm duhet të paguajë qindra euro për metër katror.
”Investitori strategjik burri i ministres merr me 1 euro pasuritë përrallore në bregdet. Kurse biznesmeni i ndershëm, nëse do të ndërtojë diçka në bregdet, detyrohet ta blejë 200-300 euro metrin katror. Ai që e ka marrë me 1 euro nuk paguan as TVSH asnjë taksë, ndërsa biznesmeni i ndershëm mbytet në taksa. Nuk ka shanse të konkurrojë. Të rinjtë ikin se dara e varfërisë shtrëngohet gjithmonë e më shumë në familjet shqiptare.
Statistika e Bankës Botërore tregoi se vetëm 20 % e atyre që meritojnë ndihmë ekonomike, e merrnin atë nga qeveria. Edi Rama po gënjen kudo sot, pas 8 vitesh që ngriu rrogat dhe çmimet u rritën në mënyrë të pandërprerë. Vetëm nga vjet deri në sivjet ka shpenzuar për ushqimet 430 mijë lekë më shumë në vit. Kurse ai shëtit me avion me dhomë gjumi luksoze 22 milionë euro.
Blen vazo druri 4 milionë euro për të çlodhur sytë. Rikonstrukton shkolla me 7 milionë euro. Bashkiaku i tij Veliaj thotë se ka mbjellë 1 milionë pemë. Ka vjedhur çmimin e 1 milionë fidanëve. Ka blerë pishën 5500 euro. Kjo vjedhje shkatërroi ekonominë shqiptare. Këto zgjedhje janë jetike për familjen. Edi Rama është burri më mizogen në shoqërinë shqiptare”,-tha Berisha.