”Berisha dhe Basha jo liderë të gjithë opozitës”, Shehi: Duhet poli i tretë

Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi ka propozuar krijimin e një poli të tretë opozitar, që do të mund të garojë i pavarur në zgjedhjet parlamentare të 2025, pa asnjë marrëveshje paraprake me Berishën, Bardhin apo Bashën.

“Unë jam për një vijë të tretë. Që do të thotë se unë gjykoj se as Berisha as Basha nuk mund të bëjnë më liderin opozitar të të gjithëve. Sigurisht që ato në një farë mënyrë udhëheqin shtëpinë e vetë. E kanë të gjithë të drejtën e Zotit ta bëjnë këtë punë dhe ta bëjnë këtë punë siç e mendojnë ato. Por kjo nuk është e gjithë opozita. Ka edhe një opozitë tjetër që nuk e mendon si këta zotërinjtë. Për efekte pragmatiste por edhe për luftë reale politike unë gjykoj se ka ardhur dita për të gjetur një rrugë të tretë brenda opozitës shqiptare dhe ne të hyjmë të pavarur në zgjedhje”,-tha Shehi në ”A2cnn”.

Sipas Shehit, ish-bashkëpunëtorët e tij Sali Berisha dhe Lulzim Basha nuk mund të bëjnë liderin e të gjithë opozitës, pasi ka një masë që e sheh politikën ndryshe nga vizioni i tyre. Për të treguar edhe formacionin me të cilat 3-4 grupet opozitare do të rreshtoheshin në zgjedhje përballë Ramës, Shehi zgjodhi një formulë të njohur.

Shembulli për t’u ndjekur sipas tij është e djathta italiane, e cila në zgjedhje parlamentare shkoi e fraksionuar në disa formacione politike. Pas zgjedhjeve, partia më e votuar që rezultoi “Vëllezërit e Italisë” e Giorgia Melonit mori Kryeministrinë, ndërsa Berlusconi dhe Salvini ndan mes tyre postet e tjera ministrore.

SHKARKO APP