Berisha dhe Erdogan, nga miq në armiq

Sali Berisha edhe këtë të hënë lëshoi akuza shumë të forta ndaj presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan. ”Dua të dënoj edhe njëherë me ashpërsinë më të madhe qëndrimin cinik, të ulët të Edi Ramës ndaj arsimit, ndaj shkollave private në Shqipëri. Ky vasal i shpifur i Erdogan, i presidentit të Turqisë, i cili e konsideron Shqipërinë si një vend ku mund të urdhërojë hapje dhe mbyllje shkollash, xhamish etj”, tha kreu i PD.

Në kohën kur Sali Berisha ishte kryeministër i Shqipërisë, Erdogan ishte një mik i afërt. Ai merrte pjesë në inaugurime veprash të rëndësishme dhe Berisha e vizitonte shpesh në Ankara. Viti 2012 duket se ka qenë edhe momenti vendimtar që ka prishur pa kthim raportet Berisha-Erdogan. Ishte vetë Berisha që zbuloi një prapaskenë, që kishte shkaktuar prishjen e marrëdhënieve me Erdoganin.

“Në vitin 2012 unë kam pasur një telefonatë të gjatë me kryeministrin e Turqisë, për të cilin unë kam pasur respekt të veçantë dhe përsëri ruaj respekt. Në këtë telefonatë i kam bërë të qartë, miqësisht dhe pastaj edhe ftohtësisht se Shqipëria nuk do të ndjekë kurrë politikë tjetër në fushën e sigurisë veç asaj të SHBA. Me fjalë të tjera, Shqipëria s’do bëhet kurrë shtojcë e Turqisë në politikën e sigurisë globale”.

Më 17 janar të vitit 2022 Erdogan erdhi në Shqipëri dhe mbajti një fjalë në Parlament. Berisha mungoi në sallë dhe tregoi se përse kishte humbur respektin ndaj presidentit turk. Sipas tij, Erdogan kishte ndërhyrë në zgjedhjet e 25 prillit në favor të Edi Ramës.

SHKARKO APP