Berisha: Fatura për amerikanin Chris LaCivita do të bëhet publike kur ta kërkojë KQZ
Ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë një deklaratë për mediat pas paraqitjes së tij në SPAK, ku është pyetur në lidhje me shpenzimet e fushatës elektorale dhe pagesën për drejtuesin amerikan të fushatës së PD-së, Chris LaCivita.
Berisha theksoi se nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë nga fondet personale, pasi sipas tij, të gjitha shpenzimet e fushatës janë mbuluar nga Partia Demokratike.
“Sali Berisha nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë personale, sepse fushatën time e ka mbuluar PD. Çfarë shpenzimesh kam bërë unë në turneun në mbarë Shqipërinë, është bërë nga PD. Ka një ligj që përcakton afatin kur Partia Demokratike do të deklarojë shpenzimet dhe unë të garantoj se PD do të deklarojë çdo qindarkë,” – deklaroi Berisha.
Në lidhje me faturën për strategun amerikan Chris LaCivita, Berisha u shpreh se ajo do të bëhet publike në momentin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kërkojë zyrtarisht deklaratat e shpenzimeve nga partitë politike.
“Tani, unë nuk them se nuk kam deklaruar. Tani deputetët po deklarojnë shpenzimet personale… KQZ-ja ka shpërndarë formularë për deputetët për të deklaruar shpenzimet, por jo për partitë. Partitë kanë një afat ligjor,” – shtoi ai.
Para 11 majit janë hedhur akuza për faturën e pagesës së Chris LaCivita i cili menaxhoi fushatën e PD, ku flitej për shuma në disa milioan dollarë, por deri me tani asgjë nuk ka dalë publike.
Ka dhe një hetim në SPAK për këtë kontratë të PD-së në lidhje me financimin e Chris LaCivita.
KOHA JONË SONDAZH

