Berisha flet për raportin e OSBE-së: 14 maji farsë elektorale! Ta largojmë Ramën me protesta
Sali Berisha ka komentuar për herë të parë raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokale të 14 majit, duke thënë se vihej në pah se vota e lirë u manipulua.
“Vota e kontrolluar është vota e regjimeve totalitarëve, defacto është vdekje klinike. Raporti i OSBE konstaton se për kontrollin e votës u përdorën mjete antikushtetuese dhe antiligjore, të cilat dhunuan Kodin Zgjedhore, standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira. Zgjedhjet u kontrolluan nga administrata, Patronazhisti dhe Aktivisti bënë gjithçka për të diktuar vullnetin e shqiptarëve. Në raport gjen përqindje që përmbysin zgjedhjet. Gjen se 14 maji ishte një farsë elektorale”, tha Berisha.
Duke folur për gazetarët jashtë sallës së Kuvendit, kreu i Rithemelimit në PD, Sali Berisha po ashtu bëri thirrje për protesta, për të larguar qeverinë e Edi Ramës.
”Të ngrihemi ndaj këtij regjimi. Ne po përgatitemi për një lëvizje të qëndrueshme që shqiptarët të votojnë të lirë, si popujt e tjerë të rajonit. U drejtohemi të gjithë idealistëve, misioni ynë është të rikthejmë të drejtën për të votuar shqiptarëve në një lëvizje të re të fuqishme”,-tha Berisha.