Berisha fton shqiptarët e Italisë të votojnë për Forza Italia-n, te Silvio Berluskonit
Kryetari i PD-së, Sali Berisha pasditen e kësaj të premteje, pati një telekonferencë me koordinatorin kombëtar të Forza Italia, Antonio Tajani dhe Paolo Barelin, kryetarin e grupit të deputetëve të kësaj partie.
Në këtë takim ishin prezent edhe përfaqësuesit kryesor të komunitetit shqiptar në Itali. “Miqësia me Presidentin Berlusconi dhe shpërndarja e programeve të Forza Italia janë të vjetra dhe të forta edhe sot e kësaj dite. Për këtë arsye ftoj komunitetin tonë të madh, ku bëjnë pjesë shumë qytetarë italo-shqiptarë, për të votuar me bindje Forca Italia për vizionin pro-evropian dhe të moderuar që përfaqëson”, tha Berisha në këtë takim.
Postimi i plotë
Pata kënaqësinë sot të zhvilloja një bashkëbisedim me përfaqësuesit e Forza Italia, Z. Antonio Tajani, Zv. President dhe Koordinator unik i “Forza Italia” dhe njëkohësisht Zv. President i Partive Popullore Europiane PPE, si dhe Z. Paolo Barelli, President i Grupit Parlamentar të Forza Italia. Në takim mori pjesë dhe Sekretari për Emigracionin dhe Diasporën së PDSH-së, Z.Indrit Hoxha.
Forza Italia dhe Partia Demokratike e Shqipërisë janë parti simotër dhe anëtare të grupit më të madh të partive europiane të qendrës së djathtë, atij të PPE. Ato kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë dhe të frytshëm në dekada.
Gjatë takimit me Z. Tajani dhe Z.Barrelli, u konfirmova atyre dhe të gjithë koalicionit të djathtë italian që garojnë në zgjedhjet e 25 shtatorit, mbështetjen dhe pjesëmarrjen më të gjerë të emigracionit shqiptar në favor të Forza Italia, aleatit tradicional të PD dhe partive të koalicionit të djathtë në Itali, fitorja e të cilit ka rëndesi të madhe për Italinë, Shqipërinë dhe Europën.
Unë shpreha mirënjohjen ndaj Forza Italia dhe Italisë mike për mbështetjen ndaj shqiptarëve të cilët kanë arritur në një kohe të shkurtër të integrohen dhe të shënojnë suksese më shumë se në çdo vend tjetër. Po kështu, me këtë rast, unë i përcolla urimet e mia më të mira mikut të shquar të Partisë Demokratike dhe të kombit shqiptar, Silvio Berlusconi.
Miqve italianë u shpreha garancitë se Shqipëria dhe Italia do të mbeten gjithmonë dy kombe mike të lidhura ngushtësisht mes tyre për shkak të historisë sonë të përbashkët dhe të bashkëpunimeve të reja që na presin në të ardhmen.