Berisha i përmend vjehrrin në Kuvend, Spiropali: Je pensionisti më i shtrenjtë në Shqipëri
Seanca e sotme në Kuvend është e mbushur me tensione dhe sherre. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e quajti Sali Berishën “pensionistin më të shtrenjtë në Shqipëri”, ndërsa listoi ndihmat e qeverisë për qytetarët.
“Po shoh që ke bërë gati laptopin, po nuk e kuptoj ku të çon ajo mushkë. Ne kemi punët tona. Po merremi me pensionistët, do indeksojmë pensionistët. Ata presin nga ne, ju prisni nga këta doktor se as këta nuk i ke se kur u mblodh grupi parlamentar nuk e zgjodhe dot kryetarin. Je pensionisti më i shtrenjtë i Shqipërisë, por do të durojmë”, tha Spiropali.
Kjo pasi Berisha denoncoi një rast privatizimi në fshatin Frakull e Madhe të Fierit. Ai tha se dhoma e zhveshjes për fëmijët që luanin futboll, ishte privatizuar dhe e mori vjehrri i Elisa Spiropalit me ndikimin e kësaj të fundit.
”Meqë zonja u gozhdua te pensionistët, nuk mund të mohohet se ajo ka një dhembshuri patologjike për një pensionist të vetëm. Kjo dhembshuria jote për pensionistët konkretizohet në mënyrë të mrekullueshme. I lë fëmijët të zhvishen në të ftohtë, ndërsa ndërtesa është dhënë me ndërhyrjen e zonjës Spiropali”.