”Berisha i vogël përballë drejtësisë së re”, analisti: Po synon të çmontojë SPAK-un
Sali Berisha nuk u paraqit pranë oficerit të Policisë Gjyqësore dhe shkoi rreth të njëjtës orë në Kryesinë e Kuvendit për mbledhjen e grupit të PD-së, edhe pse sot duhet të shkonte në SPAK, për shkak të masës së sigurisë që ka, detyrim paraqitje. Analisti Plator Nesturi, thotë se Sali Berisha po tentojë të zhbëjë organet e drejtësisë së re.
“SPAK-u duhet ta kishte treguar veten që në fillim efikas në të gjitha procedurat. Problemi është nga zoti Berisha, duket sikur synohet shumë më tepër dhe shumë më lartë se çështja që ka. Ai po kërkon të zhbëjë, të çmontojë në sytë e opinionit, organet e drejtësisë, drejtësinë e re.
Berisha është ai që është, por sado peshë politike që të ketë, është shumë i vogël përballë një procesi kaq të madh siç është bërë çështja e reformës në drejtësi. Unë e them se do të gjendet patjetër mënyra për të shkuar në shtratin e vet normal si një proces që duhet ta ndajë njëherë e mirë çështjen Berisha me drejtësinë dhe argumentet politike”, tha Nesturi në A2 CNN.