Berisha: Kosta Barka mbylli sytë përgjithmonë, një veprimtar i shquar dhe i palodhur
Shuhet në moshën 70-vjeçare, ish-ministri i Punëve të Çështjeve Sociale, Kosta Barka, i cili ka qenë pjesë e qeverisë së Sali Berishës. Vetë ish-kryeministri teksa u ka shprehur ngushëllimet familjes, thekson se Barka ka qenë një veprimtar i shquar dhe i palodhur.
Postimi i plotë
Kosta Barka mbylli sytë përgjithmonë. Të dashur miq, Kosta Barka, ish-ministër i Punëve dhe Çështjeve Sociale dhe Deputet i Partisë Demokratike për Qarkun e Gjirokastrës mbylli sytë përgjithmonë! Ky është një lajm i hidhur për familjen, miqtë e tij por edhe për Dropullin, Gjirokastrën, Partinë Demokratike dhe Shqipërinë.
Kosta Barka ishte bashkëshort, prind dhe qytetar shembullor. Ai ishte një demokrat i vendosur dhe personalitet i aftë, i ndershëm i respektuar që fitoi besimin e zgjedhësve të tij në minoritet dhe Gjirokastër dhe i përfaqësoi ata me përkushtim të veçantë në Parlamentin e vendit.
Kosta Barka kreu me nder, aftësi dhe efiçencë të plotë detyrën e ministrit në qeverinë e koalicionit të Partisë Demokratike dhe mbeti deri në fund të jetës së tij një veprimtar i shquar dhe i palodhur i saj.
Duke shprehur nderimin tim më të madh dhe mirënjohjen më të thellë për kontributin e çmuar të tij dhe bashkëpunimin tonë të ngushtë që kami patur, unë shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar, miqve, të afërmve, komunitetit të Dropullit dhe Gjirokastrës për humbejn e rëndë dhe të pakompensueshme dhe lutem së bashku me ta që shpirti i madh i Kosta Barkës të gjejë paqen e merituar. Amin!