Berisha mbyll fushatën në Shkodër: Bardh Spahia, kandidat i pluralizmit

Sali Berisha në takimin përmbyllës të fushatës në Shkodër, bëri thirrje për të votuar Bardh Spahinë të cilin e cilësoi kandidat të pluralizmit.

“Është vota për pluralizmin politik, është vota për idealet tuaja, asnjë qytet, asnjë komunitet nuk ka sakrifikuar sa ju për pluralizmin dhe vlerat e tij. Merita juaj është se kurrë nuk ia kthyet shpinën, pavarësisht sakrificave që u detyruat të bënit. U ftoj që të votoni Bardh Spahinë, kandidatin e pluralizmit politik”, tha Berisha.

Më pas, Berisha tha se Rama ka diskriminuar Shkodrën dhe veriun. “Sot, 80 përqind e qytetarëve që jetojnë në varfëri, nuk marrin ndihmë ekonomike. Jo se nuk ka para, por Edi Rama është një armik i ekzistencës sonë. Nëse ekzistenca jonë përcaktohet nga qenia jonë si komb në këto troje, ne kurrë ndonjëherë nuk jemi pakësuar sa jemi pakësuar në tetë vitet e Edi Ramës. 1 milion shqiptarë janë larguar nga Shqipëria në këto 8 vite. Shkodra dhe Vlora janë dy qarqet nga ku janë larguar më shumë banorë. Ky ritëm është fatal nëse nuk ndalet më 14 maj. Duke votuar opozitën, Shkodra dhe Shqipëria voton shpresën, voton rivendosjen e pluralizmit, voton rikthimin e Shqipërisë në rrugën e demokracisë, në rrugën e rimëkëmbjes dhe zhvillimit”, u shpreh ai.

SHKARKO APP