Berisha: Më 7 korrik, protestë kombëtare kundër Ramës. Do jetë një betejë e jashtëzakonshme
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha sot ka dhënë një datë për protestën e madhe Kombëtare kundër qeverisë ”Rama 3”. Sipas Berishës, me datë 7 korrik nis një betejë e rëndësishme që duhet të shtrihet në mbarë vendin.
Gjatë tryezës me shoqërinë civile, Berisha deklaroi se protestat nuk do të ndalen.
”Data 7 korrik është menduar nga Partia Demokratike të jetë data e protestës së madhe në Tiranë. Të bëjmë gjithçka për të nisur betejën tonë. Kjo është betejë e rëndësishme, por kjo betejë duhet të shtrihet në mbarë vendin. Të ngrihemi në këtë protestë të fuqishme. Nuk mund të nënshtrohemi. Nuk mundet të shndërrohet Tirana në Beogradin e vogël.
Një front kundër kësaj qeverie dhe këtij regjimi është jetik. Do e quajmë front për shpëtimin e Shqipërisë apo me një emër tjetër do e shohim, por ne do duhet të funksionojmë si front. Të angazhohemi që protesta të tjera do vazhdojnë, me këtë sistem ne nuk pajtohemi.
Të ngrihemi në këtë protestë të fuqishme, nuk mundet kush ta shndërroje Tiranën në Beogradin e vogël, nuk mund të shkatërrojë Myzeqenë, Korçën, Shkodrën, etj me ”Ballkanin e Hapur”. Në një kohë kur Serbia subvencionin 80 herë më shumë sesa Shqipëria hektarin e tokës. Ta vazhdojmë si front këtë betejë dhe ta zgjerojmë. Ne jemi të vendosur të mbrojmë interesat e qytetarëve dhe vendit tonë.Vetëm një shoqëri atdhetare, një shtet minimalisht patrotik ,mund të zhvillojë vendin, ndryshe shkatërrohet”.- theksoi Berisha.