Berisha me krerët e degëve të PD: Jemi në fazën finale të largimit të Ramës nga pushteti
Në mbledhjen me krerët e degëve të PD-së, kryedemokrati Sali Berisha tha se më 11 shkurt, nis faza përfundimtare për rrëzimin e qeverisë ”Rama 3”.
”Ne kemi thirrur protestën në datën 11 dhe hymë në një fazë përfundimtare të largimit të Ramës nga pushteti. Koha thërret popullin opozitar të gjendet në orën e tij, ora më e rëndësishme në misionin tonë.
Ne nuk shmangemi, përkundrazi, bashkërendojmë dhe bëjmë çdo përpjekje për 14 majin si një ditë fitoreje për kandidatët tanë. Në pamje të parë është komplekse por misioni i kërkon të gjitha këto, kërkon që ne të bëjmë të gjitha përpjekjet për një sukses të vërtetë të PD-së në 14 maj, për largimin e Ramës dhe votën e lirë të shqiptarëve.
Më 11 shkurt, Tirana duhet të derdhet e tëra në shesh. Shqipëria të vërshojë drejt Tiranës, por ne jemi në revoltë e në protestë. Nuk mund të pranojnë të zgjedhurit e popullit t’i shtypen të drejtat e tyre se po pranuan këtë, pranojnë shtypjen e të gjithë qytetarëve. Ata sillen si një bandë, bllokojnë komisionet tona hetimore çka nuk ndodh në asnjë parlament të botës”,-tha Berisha.