Berisha, miliona për rindërtimin e kullës në Viçidol
Në postimet e tij thuajse të përditshme në Facebook, ish-kryeministri Berisha shkruan se në mbarë vendin “po ulërijnë sirenat e varfërisë dhe të mjerimit”.
Por vetë Berishët, megjithëse e nisën “tranzicionin” të varfër si gjithë familjet e tjera të vendit, sot i përkasin pakicës shqiptare që jeton në kamje.
Në një Shqipëri të lodhur nga varfëria, shkatërrimi i vlerave, lufta e egër politike dhe mungesa e drejtësisë, kjo pakicë e ka shumë të lehtë të fshehë gjurmët e pasurimit.
Jo të gjitha.
Berisha dhe fëmijët e tij posedojnë apartamente të bollshme në godinat më të shtrenjta të Tiranës dhe vila në Farkë dhe në Lalz.
Por veç kësaj ata kanë rindërtuar nga themelet pronat e tyre më të njohura.
Banorët e fshatit të famshëm turistik “Lura” në Gjirin e Lalzit e dinë që Berishët e kanë rrëzuar në tokë vilën e tyre fillestare në këtë fshat.
Mbi themelet e saj familja ka rindërtuar nga e para një godinë më të madhe dhe më të lartë me materiale dhe mobilim shumë më të kushtueshëm që rrethohet nga një sipërfaqe e madhe toke e mbjellë me pisha dhe bimësi.
Dhe jo vetëm vilën e Lalzit.
DITA ka udhëtuar drejt vendlindjes së Berishës në Viçidol të Tropojës në kufi me Kosovën.
Edhe këtu, familja Berisha ka dëshmuar qartë gjendjen e saj mëse të kënaqshme financiare.
Kulla e vjetër ku ka lindur ish-Presidenti i 97-s dhe kryeministri i Gërdecit është shembur në tokë dhe është rindërtuar nga e para trikatëshe dhe shumë e veçantë njësoj si vila e Lazit.
Banorët thonë që për cilësinë e punimeve dhe materialet e përdorura është kujdesur Shkëlzeni.