Berisha në arrest, Gazment Bardhi: Opozita bashkohet dhe vijojmë aksionin në Kuvend
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi zbulon se po bëhen negociata që të gjitha kampet brenda të djathtës, të mblidhen në një, edhe në pjesën tjetër të aksionit opozitar. “Të gjithë deputetët që janë të vendosur për të bërë opozitë, janë bashkë në parlament, janë duke koordinuar aksionin e tyre parlamentar. Ky bashkim do të duhet të shtrihet edhe në aksionin tonë politik jashtë parlamentit për të cilin ne po punojmë”, thotë Bardhi.
Idenë e bashkimit e hodhën disa muaj më parë, partitë aleate, me atë që e quajtën federatë opozitare, për të cilën gjithashtu shpejt, Bardhi paralajmëron të ketë zhvillime. “Opozita ka nevojë për një koalicion të gjerë politik opozitar që të ketë brenda çdo faktor opozitar dhe gjithë aksioni i opozitës të jetë i koordinuar nga një trupë ku përfaqësohen të gjitha partitë politike opozitare. Edhe në këtë drejtim është duke u punuar”, tha Bardhi për ”Report Tv”.
Basha dhe Berisha i lirë në atë kohë, kushtëzuan federatën me praninë e njëri-tjetrit. Bardhi, nën reshta të lë kuptuar se mund të bashkëpunojë edhe me Lulzim Bashën, por së pari ai duhet të japë prova, se është në krah të opozitës, e nismat e fundit, për të dënuar shpifjen e përdorur nga deputetët, sipas Bardhit, e orientojnë drejt Ramës. Edhe me Sali Berishën në arrest shtëpie, të hënën parlamentit deputetët e opozitës do t’i drejtohen me synim të qartë: Nuk ka qetësi e normalitet.