Berisha në burg? Ish-prokurori reagon ashpër: Këshilli i Mandateve veproi me hile
Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve miratoi sot me 6 vota pro kërkesa e Prokurorisë së Posaçme t’i kalojë Parlamentit për heqjen e mandatit të deputetit Sali Berisha. Eugen Beci, ish-prokuror i Krimeve të Rënda, tha në emisionin “Të Paekspozuarit”, se Këshilli i Mandateve veproi me hile, duke mos i kërkuar Prokurorisë së Posaçme arsyet e kërkesës për heqjen e mandatit të Berishës.
”Sot Këshilli i mandateve anashkaloi me hile, sepse, nëse i shkon Kuvendit dhe i thua dua që të lufizoj apo të heq imunitetin e një deputeti.
Ligji parashikon që ti duhet të shkosh me një relacion konkret dhe t’i thuash arsyet me prova ku ti e bazon këtë kërkesë dhe nuk mundet që të ecësh me hile proceduriale dhe të thuash se ne nuk kemi punë me fabulën, por kemi punë me këtë njeriun që i kam caktuar detyrim për t’u paraqitur dhe nuk është paraqitur.
Nuk funksionon kështu, që të shkosh dhe të kërkosh heqjen e imunitetit dhe të mos thuash se çfarë ka bërë. Ligji e ka të përcaktuar qartë që kur i drejtohesh parlamentit për heqjen e imunitetit, duhet ta shoqërosh me një relacion me fakte”,-tha Beci.