Berisha në Kavajë thirrje qytetarëve: E keqja e madhe ka pllakosur Shqipërinë, të ngrihemi

Këtë mbrëmje Sali Berisha ishte në Kavajë, ku i bëri thirrje qytetarëve që të ngrihen si në vitet ’90, për çlirimin e Shqipërisë. Berisha e quajti situatën e ditëve të sotme si një e keqe e madhe që e ka pllakosur Shqipërinë.

”Të ngrihemi sot siç u ngritën atë vit, djemtë, burrat, por e vërteta edhe nënat, vajzat, motrat e Kavajës, kundër më të egrës diktaturë që kishte njohur Europa. Ata kishin përballë një parti përbindëshe, por ata kishin idealet e tyre, kishin traditat e shkëlqyera familjare, kishin fisnikërinë e njeriut që nuk shet vlerat e tij.

E vërteta është se grupet antikomuniste të Kavajës, e çliruan Kavajën, shumë kohë përpara çdo qyteti të Shqipërisë. E çliruan Kavajën sepse ata ishin guximtarë, sepse Josif Buda ra për t’u bërë i vdekur dhe skuqi rrugët e këtij qyteti, sepse e shndërruat stadiumin në një fushë gladiatorësh, në një përballje epike me diktaturën mizore.

Kavaja nuk u mposht në kushtet më të egra në zgjedhjet e fundit, ju i dhatë qytetit dhe vendit Fisnik Qosen, kryetar bashkie. Mbi 1500 burra u nisën në këmbë për të ardhur në Tiranë në betejë dhe u bënë pararoja e asaj beteje. Sot, çdo kavajas, të cilët çliruan Kavajën, ka mision historik të luftojë për çlirimin e Shqipërisë”,-tha Berisha.

SHKARKO APP