Berisha në Roskovec, ”sulmon” kandidaten e PS-së: Pushime në Antalya me pensionet e invalidëve
Pasditen e kësaj të marte, Sali Berisha ka prezantuar kandidatin e koalicionit ”Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Roskovecit ku ka hedhur akuza ndaj kryebashkiakes dhe kandidates së PS-së, Majlinda Bufi. Për Berishën, Bufi nuk ia jepte invalidëve pensionet, por i mbante ato për vete dhe me ato para bënte pushime në Antalya.
”Ai e di se kandidatët e tij që kanë dalë nga bodrumet dhe shpellat e mafies, nuk mund të ballafaqohen kurrë me Erdiz Hazizajn. Në qoftë se të ka mbetur minimumi i përgjegjësive para qytetarëve të Roskovecit, hajde në këtë shesh dhe bën debat me Erditin.
Por ti nuk vjen dot, sepse aq sa mund të dalë simotra jote në Tiranë, Olta Xhaçka, apo Ballukja, aq mund të dalësh ti të ballafaqohesh me rivalin tënd që vjen nga vota e lirë. Po dole ti në debat me Erditin, të dalin llogaritë bankare që merrje bashkë me një Avni Cjapin, pensionet e invalidëve i fusje në bankë, merrje fitimet dhe pastaj i lije ata pa pensione dhe ja mbathje për Antalya apo për pushime të tjera. Kurse hallexhinjtë i lije të numëronin kafshatat.
U ke prishur shtëpitë demokratëve, vetëm për hakmarrje. Ju garantoj se do të shkosh për ndjekje penal për çdo shtëpi të prishur për hakmarrje”, theksoi Berisha.