Berisha nga dritarja e banesës: Duhet përballje, Rama nuk ikën ndryshe
Sali Berisha, në fjalimin që mban nga ballkoni i banesës, sonte tha se çdo ditë regjimi i bazuar në vjedhjen, drogën dhe krimin del para shqiptarëve dhe botës më i shëmtuar. Berisha ka ripërsëritur akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, duke theksuar se regjimi po bëhet çdo ditë bëhet më i egër, çdo ditë është një ditë jo e mirë për qytetarët e këtij vendi.
”Unë besoj se çdo njeri i civilizuar ka vetëm një përgjigje: o sot o kurrë, nuk duhet të durojmë më. Ka një problem në themel tek ne, sepse në qoftë se Edi Rama, qeveritarët e tij qëndrorë, vendorë, zyrtarët e tij na shohin ne si qenie për t’u poshtëruar, për t’u vjedhur, për t’u shfrytëzuar, për t’u varfëruar, ne do mund të fitojmë vetëm kur t’i quajmë ata armiq, armiq, armiq, armiq. Kur ne t’i themi armikut armik, sigurisht që do ketë qytetarë që do tremben, do ketë të tjerë që do druhen”, tha Berisha.
Duke e konsideruar si pushtim qëndrimin e Edi Ramës në qeverisje, Berisha u shpreh se nuk ka pushtim që ikën pa përballje. “Nuk ka të keqe që largohet pa u përballur dhëmb për dhëmb dhe pa e shkulur nga rrënjët atë”, tha Berisha.