Berisha nga dritarja e banesës thirrje intelektualëve, biznesit dhe fermerëve: Të ngrihemi kundër këtij regjimi

Sali Berisha nuk ishte i pranishëm sot në seancën e Kuvendit, pasi ndodhet në arrest shtëpie. Nga dritarja e banesës, ai u bën thirrje intelektualëve, biznesit dhe fermerëve që të ngrihen kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, atë që ai e quan regjim.

“Ju bëj një thirrje miqësore mbarë intelektualëve shqiptarë: ngrihuni sot më shumë se kurrë. Për intelektualin i cili ka për busull të vërtetën, kjo është ora e të vërtetës. Kjo është ora e të vërtetës supreme, në të cilën beteja është për shpëtimin e atyre të vërtetave që janë më të shtrenjta për çdo njeri, për shpëtimin e atyre të vërtetave që janë më të shtrenjtat për çdo shoqëri, për çdo komb, për çdo vend.

Një thirrje kam për të gjithë bizneset e vendit. Ju që jetoni çdo ditë në terrorin e taksidarëve patronazhistë, e gjobave dhe ryshfeteve të tyre, ngrihuni t’i japim fund këtij tmerri pa fund për ju dhe të dalim në rrugën e ligjit, të drejtësisë, të barazisë.Nuk ka paqe mbi krimin, nuk ka paqe mbi dhunimin e ligjit.

Qepenat tuaj duhet t’i shndërroni në mjete të fuqishme, në armë kundër armikut të përbashkët, Edi Rama. Në emër tuaj, u bëj një thirrje vëllazërore mbarë fermerëve të Shqipërisë, ju të cilët jeni fermerët më të diskriminuar në Europë, jeni qytetarët më të përçmuar të këtij vendi, jeni familjet më të ndëshkuara të Shqipërisë, ngrihuni të përmbysim këtë regjim, armik i egër i qenies suaj.

Të përmbysim këtë regjim që po shfaros, po shkatërron qindra e mijëra ferma çdo ditë. Po shndërron fshatin, fermat tuaja në një shkretëtirë, në një zbrazëtirë të vërtetë. Ngrihuni se në këtë mënyrë ju mbroni jo vetëm fermat tuaja, por mbroni Shqipërinë që në shekuj e shekuj e keni sjellë mbi supe së bashku me qytetarët e tjerë me besimin e madh se do e çoni në Europë dhe nuk do e lini në kthetrat e një armiku të qenies së shqiptarëve. U bëj thirrje përsëri të gjithë shqiptarëve, të ngrihen kundër këtij regjimi që objektiv kryesor, që veprimtari kryesore, që qëllim kryesor ka vjedhjen tuaj, vjedhjen e shqiptarëve”, tha Berisha.

SHKARKO APP