Berisha: Nuk ka prostitutë që t’i kem mbetur borxh një qindarkë

 

 

Nga Lorenc Vangjeli.

Ishte minuta e 30 e 12 sekonda e fjalimit të ish-­Kryeministrit Berisha në Kuvend. Kur flet kaq gjatë, doemos edhe do shkasësh. Gjuha është e lagur, dhëmbët lodhen, pak ujë nga shishja plastike të jep disa sekonda më shumë kohë, por shkarja mbetet diku mbi gojë. Dhe Doktori të enjten shkau keq. E nisi fjalimin e tij kilometrik me CEZ, e vazhdoi me akuza ndaj Ilir Metës, bëri copë Edi Ramën, mbajti në gojë, bashkë me ujin pa gaz edhe Stefan Fylen, hodhi rrufe mbi një çift juristësh burrë e grua, kaloi nga studiot e avokatisë tek një ish-­kryeministër dhe vëllai i tij, u vërtit sërish në të njëjtin qark, i jepte përgjigje çdokujt prej “mistrecëve” socialistë që e ngacmonin nga salla dhe në fund fare pikërisht në minutën minutën e 30 dhe 12 sekonda, e bëri gafën. Shkau. Në mënyrë të dyfishtë madje. E para sepse tentoi të kopjojë Edi Ramën i cili fjalët me prostituta nuk i ka problem. Por nuk ishte ky problemi real i doktorit. Problemi ishte kur tentoi të flasë si pasardhësi i tij. Dhe për të treguar njëlloj si Edi Rama këtu e 10 vjet më para se nuk i ka borxh njeriu, ai përdori të njëjtën gjuhë me pullë të kuqe. Nuk ka prostitutë që t’i kem mbetur borxh një qindarkë “Nuk ka asnjë bir nëne dhe asnjë bir kurve që të vijë dhe të më kërkojë mua në xhep lekët e veta.” ka thënë dikur Edi Rama duke goditur me grushte foltoren dhe duke hedhur përpjetë mikrofonat ngjyra-­ngjyra. Sali Berisha natyrisht ishte dhe është më i përkorë dhe natyrisht më i sjellshëm se Rama. Së paku në mënyrën e të folurit në publik. Kur Taulant Balla e ngacmoi nga vendi sërish, doktori u bë serioz. Dhe kur ai bëhet serioz, pritet së paku seriozitet në atë që thotë. I dha përgjigje kunjit të socialistit nëse kishte frikë nga hetimi për aferat me CEZ­in. Dhe foli. Duke shkarë. Keq, në fakt dhe në mënyrë të panatyrshme. Doktori bëri një enumeracion të gjatë duke thënë se nuk kishte burrë të ndershëm që t’i kishte mbetur një qindarkë borxh. Po kështu nuk kishte asnjë burrë të pandershëm që t’i kishte borxh ndonjë qindarkë. E njëjta gjë vlente edhe për gratë e ndershme sipas Doktorit, më të cilat ai kishte pasur marrëdhënie. Po për gratë e pandershme? Edhe këtë kategori zoti Berisha nuk e harroi. Ai e kishte një përgjigje edhe për to. Minuta e 30 e 12 sekonda e fjalimit dhe Doktori deklamon në të njëjtën mënyrë që do ta bënte edhe nëse do të ishte në skenë teatri: “Nuk ka asnjë grua të ndershme apo prostitutë shtylle që t’i kem mbetur borxh ndonjë qindarkë”. Salla shpërtheu në të qeshura. Gjysma e majtë e saj qeshi. Gjysma e djathtë duartokiti. Të majtët, sipas zakonit e paragjykuan sërish Doktorin duke bërë sikur nuk e kuptuan se çfarë donte të thoshte me të vërtetë Doktori. Sipas tyre zoti Berisha i paguante edhe prostitutat me të cilat shkonte. Por të gjithë e dinë që kjo është e pavërtetë. Eshtë tërësisht e pavërtetë, Doktori ka paguar dhe është paguar vetëm nga politika. Edhe kur shumëkush nga shqiptarët që mendon se është qeverisur keq e shumë keq prej tij, e quan politikën…prostitutë

SHKARKO APP