Berisha pa imunitet, Procedura që do të ndjekë SPAK-u. Nga afati 48 orësh tek 5 ditëshi

Lideri historik i PD-së, me 33 vite jetë aktive në politikë, Sali Berisha nga sot nuk e gëzon më imunitetin e deputetit, dhe rrezikon të shkojë në burg. Prokuroria e Posaçme mori në dorëzim vendimin e Kuvendit që u mor në seancë plenare për heqjen e imunitetit. Vendimi i protokolluar tashmë në dorën e SPAK-ut, pritet të merret në dorëzim nga dy prokurorët Enkeleda Millonai dhe Arben Kraja, të cilët po hetojnë çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Pasi të njihen me relacionin, ata i drejtohen Gjykatës Posaçme për ndryshimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, nga detyrim paraqitje dhe bllokim pasaporte në masën “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi”. Nga ana ligjore, SPAK nuk ka një afat të caktuar kohor për të dorëzuar këtë kërkesë në GJKKO.

Pas dorëzimit të kërkesës Gjykata e Posaçme ka 48 orë kohë për tu shprehur sa i takon ndryshimit të masës së sigurisë për Berishën. Ky vendim nga gjykata merret në dhomë këshillimi, por ekziston mundësia të bëhet me debat, ku ftohen palët për të diskutuar.

Me vendimin e Gjykatës së Posaçme njihet më pas SPAK, dhe përmes Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Policisë së Shtetit, ekzekutohet masa e caktuar nga togat e zeza. Në rast të masës së sigurisë arrest shtëpie, Berisha brenda 5 ditësh duhet të paraqitet në seancë gjyqësore për t’ia komunikuar edhe nga trupa gjykuese.

Ky vendim i arrestit mund të shmanget në rast të një tërheqjeje nga Berisha. Avokatët e tij mund t’i drejtohen SPAK-ut me anë të një shkrese ku pranojnë të respektojnë vendimin detyrim paraqitje, që u refuzua disa herë.

SHKARKO APP