Berisha paralajmëron kryebashkiakun e Vlorës: Dritan Lelin e pret fati i Shpëtim Gjikës

Pas përplasjes mes Edi Ramës dhe Dritan Lelit, Sali Berisha parashikon arrestimin e kryebashkiakut të Vlorës.

Në një reagim në Facebook, Berisha shprehet se ndaj Dritan Lelit do të ndiqet e njëjta skemë e rilindjes si me rastin e socialistit Shpëtim Gjika, i cili pas fitores së PS në vitin 2013 u padit dhe arrestua për korrupsion.

“Lelin fati i Gjikës e pret! Miq, në rastin e vjedhjeve historia përsëritet besnikërisht. Kjo sepse vjedhja është vjedhje dhe nuk ndryshon! Kështu, viktima e parë e Edvinit për korrupsion ishte Gjika i Vlorës, i cili ishte keqpërdorur nga Rama në opozitë për vite me radhë dhe sapo erdhi në pushtet e flaku si limon të shtrydhur, vetëm e vetëm që të mbushte xhepat me projektin e Lulngomares, të cilin e shndërroi ne Lungozezë!”, – shprehet Berisha.

Sipas tij, me të njëjtën skemë do të ndëshkohet dhe kryebashkiaku aktual i Vlorës, Dritan Leli.

“Tani radhën e ka Leli, prandaj dy këshilla praktike për Lelin: Këshillohu me Gjikën. Zgjidh avokat një pengmarrës të Edvinit që ti i njeh më mirë se unë! Kaq për sot Lel! Të tjerat në vazhdim!!”,- shprehet Berisha.

Një ditë më parë, mediat raportuan për një debat të ashpër mes Edi Ramës dhe Dritan Lelit. Kryeministri ka akuzuar kryebashiakun si zyrtarin përgjegjës për rënien e Partisë Socialiste me 30 % në sondazhet që janë kryer në Vlorë.

SHKARKO APP