Berisha për shpalljen ”Non-Grata”: Nuk kanë për të pasur asnjë fakt për 100 vjet
Nga ”Foltorja” në Dibër, para demokratëve dhe mbështetësve Sali Berisha ka folur edhe për faktin që SHBA e ka shpallur ”Non-Grata”, duke thënë se nuk do të pranojë fajësinë pa pasur faj, ndaj e ka çuar çështjen në gjykatë.
Berisha thekson se nuk do gjejnë asnjë fakt për të në 100 vjet, por gjithçka e bënë për të rënduar pozicionin e tij politik duke thënë edhe se nuk duhet të futet në parlament. Nga ana tjetër, Berisha shtoi se të vetmit që do përcaktojnë nëse do të hyjë në Kuvend janë zgjedhësit shqiptarë dhe ligji.
”Pas kësaj, ata të cilët më shpallën “non grata”, meqë nuk kishin asnjë fakt dhe nuk kanë për të pasur 100 vjet, për të rënduar pozicionin tim politik, thanë se ky nuk duhet të futet në parlament.
I them, sa ky vend të jetë i pavarur dhe sovran, kurrë nuk do të ndodhë që cilido qoftë në këtë botë të mund të diktojë kush futet në parlament përveç zgjedhësve shqiptarë dhe ligjeve.
Pasi dështoi, përdori armën më të poshtër që mund të përdorë njeriu dhe që quhet pabesi. Nuk është një betejë për Sali Berishën. Nëse shkova në gjykatë, shkova për dinjitetin tim dhe të shqiptarëve. Nëse shkova në parlament, mbrojtja sovranitetin tim dhe të çdo shqiptari”.