Berisha pret Kunze-n: PD forca politike më pro-perëndimore. KAS dhe CDU Gjermane kanë ofruar bashkëpunim

Sali Berisha këtë të martë priti në selinë blu, Thomas Kunze-n, drejtues i zyrës së Fondacionit Konrad Adenauer pranë Partisë Demokristiane Gjermane.

I shoqëruar nga deputetët Tomorr Alizoti dhe Akil Kraja, kreu i demokratëve i shprehu Kunze-s siç u shpreh ai “mirënjohjen për ndihmesën e madhe, për kontributin shumë të vyer që KAS dhe CDU Gjermane kanë ofruar ndër vite në forcimin e bashkëpunimit mes dy forcave politike dhe dy vendeve tona, në drejtim të promovimit të vlerave demokratike, integrimit Europian dhe standardeve të llogaridhënies politike”.

Berisha nënvizoi duke dhënë detaje nga takimi se “PD do të mbetet forca politike më pro-perëndimore dhe më aktive në promovimin e përshpejtimit të integrimit europian të Shqipërisë duke nxitur bashkëpunime intensive me parti simotra me fokus përafrimin e programit qeverisës me strategjitë zhvillimore europiane, edukimin politik të brezit të ri, zbatimin e teknologjive dhe praktikave innovative elektorale, luftën kundër korrupsionit dhe të transparencës qeverisëse etj”.

“Zgjedhjet e 11 majit e gjejnë PD më të hapur, më të bashkuar dhe më të fortë së kurrë”, shkroi Berisha në rrjetet sociale.

SHKARKO APP