Berisha prezanton kandidatin në Belsh: Po ikën rinia, votoni për ndryshimin që meritoni

Sali Berisha ka prezantuar pasditen e kësaj të hëne, kandidatin e tij për Belshin, Bedri Qypi. Në nisje të fjalës së tij, Berisha ngriti problemin e largimit të shqiptarëve nga vendi, duke thënë se kjo ndodh pasi kryeministri Edi Rama po zbaton politika armiqësore ndaj popullit.

”Vij sot tek ju për të kërkuar mbështetjen tuaj, përkushtimin, sakrificën tuaj që në datën 14 maj ju të gjithë qytetarët, mbarë banorët e Dumresë të firmosni me votën tuaj, për kryetar bashkie, për qytetar të parë të Dumresë, të Belshit, mikun tuaj, qytetarin e nderuar tuajin, z. Bedri Qypi. Belshi, Elbasani, Shqipëria kanë sot nevojë jetike kanë sot ndryshimin, nevojë jetike aq sa ka zogu ajrin për të fluturuar.

Kanë sot nevojë jetike ndryshimin në mënyrë që djem dhe vajzat, burrat dhe gratë e Belshit ti gjinden, ti japin një krah, mbështetje, vendit, bashkisë së tyre, ti japin një mbështetje Shqipërisë e cila po rrokulliset sot me shpejtësi marramendëse. Ti japin një mbështetje Belshit, Elbasanit dhe Shqipërisë, sepse ata po boshatisen si kurrë ndonjëherë në historinë e tyre”,-tha Berisha.

Po ashtu Berisha theksoi se kudo që shkon 30-40% e familjarëve, farefisit, kushërinjve, miqve të familjeve të demokratëve, socialistëve dhe paparti janë larguar nga Shqipëria.

SHKARKO APP