Berisha: Samitet e Tiranës ishin veç takime pa vlerë, mos ngatërroni gjeopolitikën me realitetin
Sali Berisha nga ballkoni i shtëpisë së tij, këtë mbrëmje foli edhe për samitin e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Tiranë. Për Berishën, ato nuk janë gjë tjetër veçse takime, pa një vlerë të rëndësishëm në gjeopolitikë. Për të në këto takime Putini i vogël, referuar Aleksandër Vuçiç, firmosi në Tiranë fitoren e tij.
”Asnjë njeri nuk duhet të gabojë, nuk duhet të ngatërrojë gjeopolitikën me realitetin. Gjeopolitika është një diçka që kushtëzohet nga gjeografia, natyra dhe të tjera. Kurse realiteti është diçka krejt tjetër. Thashë këto fjalë për t’u ndalur në këto dy ditët e fundit në Tiranë. Dje dhe sot, dy takime, po quhen samite, po të tilla ç’është e vërteta nuk ishin, por takime ishin.
Një takim rajonal për Ukrainën dhe një takim i Ballkanit Perëndimor për mekanizmin e rritjes rajonale. PD ka mbështetur dhe mbështet fuqishëm bashkëpunimin rajonal. Ka mbështetur dhe mbështet fuqishëm ndër të parat Ukrainën, betejën e saj kundër agresionit barbar rus, betejën e saj për Europën, për mbarë popujt e lirë.
PD ka qenë dhe është promotor i proceseve integruese në Europë, në hapësirën euroatlantike dhe kjo ka qenë dhe mbetet shtyllë kryesore. Por uroj që asnjë shqiptar të mos ngatërrojë gjeostrategjinë, lustrën propagandistike me realitetin edhe të këtyre dy takimeve”, tha Berisha.