Berisha: Shqipëria me Ramën u bë koshi i mbetjeve mjekësore të të gjithë botës
Sali Berisha denoncoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë se në momentin që erdhi në pushtet ndërroi ligjin e barnave në Shqipëri, duke i hapur rrugë ilaçeve pa kriter. ”Sapo Edi Rama erdhi në pushtet ndryshoi ligjin e barnave dhe Shqipëria u bë koshi i mbetjeve mjekësore të të gjithë botës”, u shpreh Berisha gjatë fjalës nga ballkoni i banesës ku është në izolim me vendim të drejtësisë që prej 30 dhjetorit 2023.
Pjesë nga fjala
Sot shqiptarët marrin ilaçe të skaduara, marrin ilaçe pa esencë ilaçi. Sot mblidhen magazinat e fundit të botës dhe eksportohen në Shqipëri. Në një kohë që ju e dini, një nga aktet e para ne ndaluam importin e çdo ilaçi, e çdo gjilpëre, e çdo tableti, nga vende dhe kompani që nuk pranoheshin nga BE-ja apo Enti Amerikan i Ushqimit dhe Ilaçeve. Ne me këtë ligj vërtetë vendosëm të shpenzojmë më shumë për rimbursimin e ilaçeve të rimbursueshme, vendosëm të shpenzojmë më shumë për mjekimin e çdo të sëmuri me ilaçe të standarteve të njëjta me ato të BE-së.
Por kjo ishte jeta, kishim të bënim me jetën e të sëmurëve, dhe nuk mendonim ne të pasuronim shushunja, vampirë siç është Beqaj, siç është Tom Doshi, siç është Vilma Nushi. Edi Rama sapo erdhi ndryshoi ligjin dhe kompanitë e mëdha të cilat të gjitha kishin zyra në Tiranë, njëlloj si në kryeqytete të tjera u larguan një e nga një nga Shqipëria, sepse Shqipëria me Edi Ramën u bë koshi i mbetjeve mjekësore të të gjithë botës.
Pra kjo gjendje dramatike, kjo gjendje në të cilën jeta e qytetarëve është më e pasigurtë se kurrë. Më e pasigurtë në spitale. Më e pasigurtë në shtëpitë e tyre. Më e pasigurtë në mjedisin e tyre është një emergjencë kombëtare, është një kushtrim për çdo shqiptar të marrë pjesë në këtë betejë pa kthim, në këtë betejë të pandalshme për qeveri teknike.