Berisha: Shqipëria ndodhet nën diktaturë, PD gati për t’u përballur me qeverinë aktuale

Sali Berisha shprehet se po rivendoset diktatura 32 vite pasi u përmbys e para. Po ashtu Berisha nga një fjalim i mbajtur në selinë blu, tha edhe se opozita do të jetë gati për t’u përballur me qeverinë aktuale, e cila sipas tij kontrollon çdo pushtet në vend.

“Shqipëria sot ndodhet në një regjim të ri diktatorial dhe feston Ditën e Pavarësisë. Kemi të bëjmë me instalimin e një diktature të dytë 32 vite pasi u përmbys e para. Por në dallim nga diktatura komuniste, diktatura e sotme nuk është një diktaturë ideologjike, është një diktaturë e cila bazohet në aleancën me krimin, drogën dhe vjedhjen e fondeve dhe pasurive publike të shqiptarëve.

Është një diktaturë që bazohet në përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e një njeriu. Është një diktaturë që bazohet në rikthimin në Shqipëri të arrestimit dhe burgjeve të kundërshtarëve politikë. Në shndërrimin e proceseve zgjedhore në një farsë zgjedhore. Në kontrollin e plotë të ekonomisë, medies dhe shoqërisë. Pra, është një diktaturë që bazohet në shkelmimin e ligjeve, Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Si çdo diktaturë, edhe kjo diktaturë nuk mund të ketë jetën e gjatë. Ndaj dhe ne jemi në këmbë për t’u përballur me këtë diktaturë. Thashë dhe njëherë, nuk njeh ligje, Kushtetuta, rregulla dhe parime, njeh vetëm interesa mafioze të padrinos apo të kryeministrit që kontrollon çdo pushtet në Shqipëri”, tha Berisha në fjalën e tij.

SHKARKO APP