Berisha: Sot u bënë 300 ditë në arrest! Duan të me arkivojnë në banesën e harresës
Nga Sali Berisha
Sot u bënë 300 ditë që Edi Rama urdhëroi parlamentin dhe mercenarët e tij të Skapit, të vendosin arrestin tim në shtëpi, pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë shkelje ligji, po vetëm e vetëm si kundërshtar politik që i tmerron ata dhe mafien ndërkombëtare.
Mafia ndërkombëtare, diplomatë të korruptuar që bënë grushtin e shtetit kundër opozitës shqiptare, vetëm e vetëm që të gjitha pushtetet ti kishte narkodiktatori, vegël e shpifur e tyre, Edi Rama dhe që po me këtë skenar, kërkuan publikisht persekutimin e Sali Berishës sikur Shqipëria të mos ishte një vend sovran, partner, anëtar i NATO-s, por thjeshtë një vend vasal për ta trajtuar atë si një koloni.
Por miqtë e mi, Edi Rama dhe mafia ndërkombëtare që shpalli ‘non grata’ Sali Berishën vetëm e vetëm se mbrojti interesin kombëtar, e bënë atë në mënyrë të panevojshme, më krenar për qëndrimet e tij, më shumë se kurrë.
Ata bënë gjithçka me Edi Ramën për ta arkivuar Sali Berishën në banesën e harresës, madje shkuan gjer aty sa tu tregojnë atyre që përmbysën diktaturën më staliniste të Europës, barin që u tregonte Enver Hoxha, por me të gjitha këto dështuan në turpin e tyre të thellë.
Miq!
Vendosja e Sali Berishës në arrest shtëpie, pasi dështuan ti caktojnë kryetarit opozitës, dhe ta shndërrojnë opozitën në një stoli të narkodiktatorit Edi Rama, kishte si qëllim të vetëm ndyrjen e tij në banesën e harresës.
Por dështimi i Edi Ramës dhe mafies së Xhorxh Sorosit, këto 300 ditë është më i turpshmi në tërë historinë e lirisë së një vendi.
Ata dështuan miqtë e mi, sepse këto kanë qenë ditët e betejës më intensive, më të motivuar të të gjithë jetës time politike.
Në këto 300 ditë së bashku me ju, falë mbështetjes tuaj, kam patur fatin e madh të luftoj më i motivuar se kurrë për vlerat dhe idealet fisnike që ndajmë me njëri-tjetrin, që ndajmë me shqiptarët, por edhe me njerëzit e lirë, në Shqipëri dhe mbarë botën.
Këto 300 ditë ishin ditët që ne morëm bekimin e Zotit si misionarë të vërtetë të një kauze të drejtë, kauzës së dinjitetit dhe lirisë së qytetarëve shqiptarë, dhe ne dëshmuam se nuk ka forcë në botë që mund të na mposhtë ne të rinjve dhe të rejave, burrave dhe grave që mbrojmë një kauzë të drejtë.
Të dashur miq, këto 300 ditë ne së bashku nderuam luftën, betejën, misionin tonë.
Zoti ju bekoftë!
Këto 300 ditë ne së bashku denoncuam si kurrë më parë dhe bëmë autopsinë e narkodiktaturës dhe narkodiktatorit, Edi Ramës, organizatës së tij kriminale, qeveri, organizatës së tij kriminale Skap dhe drejtësi e re.
Ne u faktuam shqiptarëve se Edi Rama është hajduti më i madh i të gjitha kohërave.
Ne u faktuam shqiptarëve se Edi Rama dhe regjimi i tij janë pushtimi më i egër i këtij vendi që e zbrazi dhe boshatisi atë, duke zbatuar pikë për pikë, platformën e armiqve të egër të kombit shqiptar, Vaso Çubrilloviç, etj.
Këto 300 ditë na kjo platformë e fjalës së lirë dhe kjo dritare, ne mbrojtëm të pamposhtur interesin kombëtar të shqiptarëve, në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo që janë.
Këto 300 ditë miq të dashur, ju e shndërruat këtë rrugë në rrugën e tmerrit për narkoregjimin, i cili i lemerisur nga ju, dërgon çdo natë hafijet e tij që t’ju numërojë, të ju fotografojë, por ju jeni këtu në çdo kohë, në çdo stinë, të pamposhtur luftëtarë të paepur, pararendës të një fitoreje të mbarë kombit.
Këto 300 ditë kjo dritare, falë jush, u del çdo natë në ëndërr, Edi Ramës dhe Linda Bashës, si porta e ferrit.
Këto 300 ditë ju krijuat këtu Rrugën e Shpresës, për mbarë shqiptarët.
Krijuat këtu parlamentin, tribunën historike të fjalës së lirë, të të vërtetave të mbarë kombit.
Këto 300 ditë, nga kjo dritare u përcollëm shqiptarëve, zgjidhjen, zotimet tona, për luftë të pamëshirë, kundër vjedhjeve shtetërore, kundër dhimbjeve të tyre nga varfëria, kundër shfrytëzimit nga regjimi, si një regjim kolonial.
U paraqitëm platformën tonë, për begatimin e tyre, për integrimin në Europë, për rikthimin e votës së lirë, pra kjo dritare dhe kjo rrugë, janë rruga dhe dritarja e shpresave të shqiptarëve.
Miqtë e mi!
Këto 300 ditë ne ja dolëm të bindnim diasporën tonë, për të vërtetën e regjimi autokratik, të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Miq, diaspora jonë, është një diasporë e cila në rrafshin politik ka histori nga më të lavdishme e të gjithë diasporave të tjera.
Kjo diasporë mbeti gjithnjë flakë që ndriçon rrugën e lirisë së shqiptarëve.
Ajo u ngrit fuqishëm dhe u bë zëri i një kombi të shtypur në diktaturën staliniste.
Ajo u ngrit fuqishëm në SHBA dhe vende të tjera dhe u bë zëri i fuqishëm i Kosovës martire, në betejën e saj për liri dhe pavarësi kombëtare.
Dje diaspora shqiptare në Nju Jork, SHBA, u ngrit fuqishëm kundër narkodiktatorit.
E demaskoi atë në metropolin e botës, në Nju Jork, me një protestë ndër më të mëdhatë, më të fuqishmet.
Do të përdorur hua, fjalën e një miku tim që më thotë se; narkodiktatori nuk e priste kurrë se do ta prisnin aq shumë shqiptarë, por më shumë jashtë kundër tij se sa në sallë të ndryrur me të.
Angazhimi i diasporës, ngritja e zërit të saj në vendin e lirisë, protesta e djeshme do të hyjë në analet e përpjekjeve të shqiptarëve për liri, si një kapitull i ri, i shqiptarëve më mërgim, si një betejë për lirinë e vendit të tyre.
Zoti i bekoftë!
Miqtë e mi!
Këto 300 ditë nga kjo rrugicë shprese për shqiptarët, tmerri për Edi Ramën, arritëm që sot mediat më të mëdha të botës, të spektrit politik të djathtë dhe të majtë, të damkosin Edi Ramën si narkodiktator.
Arritëm ti bëjmë autopsinë narkodrejtësisë së Xhorxh Sorosit, të faktojmë në mediat ndërkombëtare, se ai është instrument i shpifur politik në duart e Edi Ramës.
Miq në këto 300 ditë gjithnjë e më i madh bëhet numri i miqve tanë, i personaliteteve që realizojnë se, ajo që ndodhi në Shqipëri, kishte vetëm një qëllim; Shqipëria pa opozitës, opozita vegël e Edi Ramës dhe që ju qëndruat si vigan për një Shqipëri me opozitë, dhe sot keni nderimin dhe vlerësimin e tyre.
Së fundi, dua të ju rikujtoj se ne jemi në narkodiktaturë dhe është shumë e njohur, se diktaturat janë regjimet që ngadalësojnë dhe madje me keqësinë e tyre, ndonjëherë e ndalojnë dhe kohën, por jo kurrë për ne. Kurrë për ata që luftojnë.
Ndaj dhe për ne këto 300 ditë janë sa 3 mijë ditë dhe shumë më tepër, ndaj dhe ne do të fitojmë.