Berisha: Të dalim të mbushim rrugët kundër regjimit të Ramës

“Foltorja” sot është në Tepelenë. Lideri historik i PD, Sali Berisha në takimin me demokratët, tha se është koha që të lihen mënjanë çdo zemërthyerje mes palëve dhe të bashkohen për t’iu vënë përballë regjimit të Edi Rama, i cili me mekanizmat e tij financiar dhe presionesh ndikoi në krizën e brendshme në PD.

“Sot PD ka nevojë për bashkim. Ka nevojë që çdo anëtar të lerë mënjanë zemërthyerjen dhe të mobilizojmë energjitë për një betejë me regjimin më të rrezikshëm, që bazon veprimtarinë e tij në vjedhjen dhe krimin. Këtë regjim, kriza po e nxjerr para shqiptarëve se çfarë fatkeqësie përfaqëson për ta. Sot, regjimi është në revansh të plotë sepse ia arriti të ndikojë në krizën e PD, të tregojë se nuk respekton asnjë parim të demokracisë”.

Ish-kryeministri u kërkoi demokratëve që të mobilizojmë energjitë për betejën kundër Ramës. “Jam i detyruar të mbroj interesat tuaja. Duhet të përshtatem me mendimet tuaja. Po të dëgjoja unë në vitin ’98 ambasadorët, e merrni vesh ku do jemi. Ndaj u bashkuam dhe fituam në vitin 2005, kur erdhëm prapë në pushtet. Prandaj të bashkohemi e të mbushim rrugët e sheshet kundër këtij regjimi që duhet ti ketë ditët e numëruara”.

Po ashtu Berisha foli dhe për krizën e çmimeve të larta që ka përfshirë vendin tonë prej disa javësh, sipas të cilit ajo nuk vjen nga lufta në Ukrainë, por nga vjedhja qeveritare e cila punon për disa biznesmenë. Ish-kryeministri nënvizoi se qeveria Rama zbrazi kaskadën e Drinit duke e shitur energjinë lirë vitin e kaluar, ndërsa për naftën u shpreh se qeveria merr 1 euro taksa për çdo litër, gjë që e dëmton shumë qytetarin.

“Kemi një rezervë të madhe digash. Kaskada e Drinit është një rezervë e mrekullueshme. Në korrik vjet ajo ishte në nivele maksimale dhe këta shiten, hapën turbinat. E shiten me 42 euro megavatin, në një kohë kur në treg shitej me 130 euro. Ai që e bleu e shiti prapë 130 euro dhe diferencën e ndau me kryeministrin, ministrin. Fierza ka arritur në pikën e vdekjes. Në shtator ata kishin zbrazur kaskadën. Nuk e ka fajin lufta, e ka vjedhja. Në Milano nafta shitet 1.7 euro, në Shqipëri 2.2 euro. Italia nuk ka naftë, ne kemi 1 milion ton. Ke shumë mundësi që naftën ta futësh në listën e çmimeve të rregulluara. 13 vende të BE kanë ulur taksën për naftën për të lehtësuar qytetarët, kurse këtu te ne ka 4 taksa dhe 3 tarifa. Në çdo litër, 1 euro e merr shteti taksa. Po vazhdove kështu sigurisht që i rrit çmimet në stratosferë dhe arrin në mentalitetin komunist që vetura duhet të kenë vetëm zyrtarët”, tha Berisha.

Në takimin me demokratët, po ashtu Berisha ka zbardhur detaje nga bisedimet që zhvilloi me kryetarin e komanduar Enkelejd Alibeajn, në përpjekjet për bashkimin e PD-së. Ish-kryeministri tha se Alibeaj i kishte kërkuar dorëheqjen sepse PD nuk mund të fitojë me një “non-grata”, por shtoi se i kujtoi vitin 1997 kur edhe atëherë askush nuk besonte se do fitonin.

“Fryma e pajtimit ekziston në bazë e në qendër, por ekziston edhe ndonjë problem i vogël. Unë takova palën që mendon ndryshe, por duhet të jemi të hapur. Në dialogun që pata me Alibeajn më tha po, por me ty “non-grata” nuk fiton PD dhe duhet të japësh dorëheqjen. I them shiko se edhe në 1997 nuk kishte njeri që besonte se ne do fitonim, por ja që fituam. Erdhi 2005 dhe demokratë ja dolën të ndryshojnë Shqipërisë sa kurrë ndonjëherë në historinë e saj”.

Ndërkohë Berisha ka një plan të madh që ta hap PD-në me shoqeri civile, personalitete dhe të ti kthejë demokratët në pushtet.

Ndërkohë ish-kryeministri po përgatitet për protesta të mëdha kundër kryeministrit Rama, që do të përbashkojnë çdo faktor opozitar.

 

SHKARKO APP