Berisha thirrje myslimanëve: Hidhni poshtë përpjekjen diabolike të Ramës për përçarje

Sali Berisha këtë mbrëmje nga dritarja e banesës, ka bërë një koment edhe për hapjen e xhamisë së Namazgjasë këtë të enjte nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministri Edi Rama. Berisha i bëri thirrje besimtarëve myslimanë që të hedhin poshtë përpjekjen diabolike të Edi Ramës për përçarjen mes tyre.

”Të dashur miq, sot për komunitetin mysliman shqiptar ishte një ditë e veçantë. U inaugurua Xhamia e Namazgjasë. U inaugurua në tokën e Komunitetit Mysliman, të konfiskuar nga regjimi komunist dhe të rikthyer nga PD. Edi Rama e pengoi 11 vite sa qe kryetar bashkie dorëzimin e pronës komunitetit mysliman. Por më në fund, xhamia e madhe e Tiranës nisi ndërtimin me 17 prill të vitit 2013.

U deshën 11 vite të përfundonte. E ndërpreu dhe e bllokoi sapo erdhi në pushtet, etj, etj. Por unë sot kam mirënjohje për të gjithë ata që me bujari financuan ndërtimin e saj. Thirrja ime për Komunitetin Mysliman Shqiptar është të përçmoni, të hidhni poshtë përpjekjen diabolike të Edi Ramës për përçarjen tuaj. Përdorimin e xhamisë, tempullit të lutjeve ndaj Zotit, për të përçarë komunitetin mysliman. Mungesa në ceremoni e udhëheqësit shpirtëror të besimtarëve myslimanë, kryetarit të KMSH, ishte një ofendim për çdo besimtar mysliman.

Por Edi Rama është i angazhuar në mision për të përçarë fetë dhe besimet. Tre javë më parë, sikur të ishte i biri i Ajatollah Komeinit, shpalli në OKB krijimin e shtetit bektashi. Tre javë më parë, nuk fton kreun e KMSH, të zgjedhur nga vetë komuniteti. Në emër të PD dënoj këtë akt, por garantoj besimtarët se kjo parti në respekt të plotë të lirive fetare, besimeve fetare, do i përmbahet kushtetues të ndarjes së shtetit nga feja”, tha Berisha.

SHKARKO APP