Berisha vijon akuzat nga Saranda: Kandidatët e Ramës, asnjë lidhje me qytetarët
Sali Berisha sot prezantoi kandidatët për bashkitë Sarandë, Himarë dhe Delvinë. Sipas tij, ka problematika të akumuluara nga një qeverisje e cila në këto vite, vetëm për qytetarin nuk pyeti se ekziston.
“Le të ndalemi për një moment tek kandidatët e krahut tjetër. Ata janë kandidatë të një njeriu, janë kandidatë të Edi Ramës, janë kandidatë të xhepit të tyre, janë kandidatë që nuk kanë lidhje absolutisht me qytetarët. Ngrihet tjetri nga Durrësi, vjen këtu, i deleguari personal i famëziut, Alket Hyseni. Alketin e hoqën vetë socialistët, e përzunë për ato që bëri.
Tani gjeti këtë tjetrin, Çaçin, i cili vjen tek trashëgimia e prindërve, tek pallatet, pra ky është kandidat pallati. Çfarë e lidh me Sarandën, përveç pallateve të familjes së tij, përveç zotimit makabër që do të kërrejë eshtrat nga varret e Sarandës, sepse duhet që oligarkët të ndërtojnë aty. A mund të vijë një kandidat për një mision të tillë në një qytet? Vjen vetëm përfaqësuesi i mafias”, u shpreh ai.
Berisha tha edhe se mafia është forma më e egër e krimit, forma më e pashpirt, ndaj dhe ata janë të aftë të bëjnë gjithçka.