Berisha: Vuçiç si Millosheviç! Ndarja e Serbisë nga Rusia, s’është zgjidhje për Ballkanin
Sali Berisha e ka gjykuar jo të drejtë qëndrimin e ndërkombëtarëve në raport me Kosovën dhe Serbinë. Ai tha “përkedhelja” e Beogradit dhe gjuha e ashpër përkundrejt Prishtinës, nuk është një zgjidhje. Ai ngre edhe një tjetër tezë për qetësinë në Ballkan, duke thënë se ndryshe nga sa pretendohet, nuk është një zgjidhje ndarja e Serbisë nga Rusia dhe për këtë jep argumentet e tij.
“30 vjet më parë kam pasur një rast të qëndroj shumë orë me një diplomat të shquar amerikan, që kishte kaluar shumë vite në Beograd dhe në atë ditë të gjatë bisedimesh në një moment më tha “Sali kam kujtuar qe di gjithçka për Boegradin”, por e kam kuptuar se kam qenë gabim. Sot druaj se po bëhen të njëjtat gabime, kuptoj përpjekjet për ta shkëputur Serbinë nga Rusia, por në vlerësimin tim, kjo është një përpjekje që mund të krijojë shumë më tepër problem sesa të zgjidhë dhe po të kemi parasysh udhëheqjen aktuale serbe është për mua e pamundur, nuk zgjidhet kriza duke marrë gjithnjë duke ushtruar presion, mbi Kosovën. Një parim ka qenë katastrofal që u ndoq nga fuqitë e kohës, hegjemonia serbe në Ballkan me shpresë se do ta qetësojë dhe zgjidhë Ballkanin, ajo kaloi nga lufta në luftë, edhe sot nëse mendohet se Ballkani me një të fortë në Beograd qetësohet dhe zgjidhet, do jetë një cikël i ri konfliktesh”, tha Berisha.
I ashpër ka qenë në retorikën e tij, Sali Berisha edhe për presidentin serb Aleksandër Vuçiç. “Qasja ndryshe është për mua Aleksandër Vuçiç, nuk është më pak nacionalist i verbër se sa Sllobodan Millosheviçi, është një adept i nacionalizmit më të verbër serb të predikuar nga Kisha Serbe. Është udhëheqësi më i lidhur me Kishën, jo për besimin te Zoti, por për verbërinë e tij nacionaliste”, përfundoi Berisha.