Bernd Fisher: Trump nuk e di ku bie Shqipëria

Bernd Fisher është një prej anëtarëve të komisionit për rishkimin e teksteve të historisë, në veçanti të kapitullit të Luftës së Dytë Botërore. Në një intervistë për emisionin “Përballë” të Lutfi Dervishit në RTSH, ai jep disa konsiderata për këtë periudhë por edhe për debatin mbi datën e çlirimit apo ndikimin e perandorisë Osmane.

Nëse flasim për veçantitë e Shqipërisë në periudhën e pushtimit, si nga italianët, ashtu edhe nga gjermanët, cilat janë gjetjet që në një farë mënyre ju kanë befasuar?

Shqiptarët në përgjithësi kishin një qasje negative ndaj italianëve dhe një sjellje më pak negative ndaj gjermanëve, duke pasur parasysh faktin se Gjermania ka shkaktuar më shumë shkretime, shkatërrime dhe vrasje në të gjithë Europën. Po kur gjermanët erdhën këtu pozicioni i tyre ishte që të fitonin sa më shumë bashkëpunim të ishte e mundur me shqiptarët sepse ndërkohë Gjermania kishte probleme të tjera serioze me rusët dhe nuk ishte në një pozicion që të vendoste shumë trupa për të pushtuar Shqipërinë. Pushtimi gjerman në shumë aspekte ishte pak më i lehtë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore patëm situatën e Shqipërisë së Madhe, kur për një periudhë të shkurtër Kosova dhe një pjesë e Maqedonisë ishin pjesë të Shqipërisë. A funksionoi vërtet kjo në këtë kohë?

Unë do të thoja jo, sepse Shqipëria ishte nën pushtim dhe mendoj se shumë shqiptarë e kuptuan që kjo ishte një krijesë artificiale që erdhi jo vetëm si rezultat i përpjekjeve të italianëve, por edhe për faktin e shkatërrimit të Jugosllavisë nga Gjermania. Unë do të thoja se nuk funksionoi si një shtet normal sepse Shqipëria ishte e pushtuar.

Debati për datën e çlirimit është unik në Shqipëri dhe vijon, dhe ka shoqëruar gjithë tranzicionin tonë. 28 apo 29 nëntori. Ju keni përmendur apo sugjeruar se keni gjetur një dokument që tregon se ushtaraku i fundit gjerman iku nga Shqipëria në datën 4 dhjetor. Sa mendoni se do të zgjas ky debat në Shqipëri? Dhe në opinionin tuaj ia vlen ky debat, 28, 29 apo çfarëdo date tjetër?

Personalisht mendoj se nuk ia vlen. Shqipëria duhet të vendos një nga këto dy datat apo një datë tjetër. Në një farë mase është një argument artificial për mua. Nuk mendoj se është e mundur të saktësosh qartësisht se kur ushtari i fundit gjerman la Shqipërinë. Dokumenti që unë gjeta sugjeron siç e përmendët ju, që gjermani i fundit ka ikur nga Shqipëria në datën 4. Unë jam i sigurtë që ka pa pasur edhe gjermanë të tjerë diku në Shqipëri që kanë ikur më vonë. Në këtë çështje janë të përfshira simbolet dhe simbolet janë mjaft të rëndësishme. Por mendoj se debati duhet zhvendosur diku tjetër dhe nuk mendoj se ky debat për datën është vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë.

Po flisnim për trashëgiminë dhe dua t’u pues a shihni ju trashëgimi osmane 105 vjet pasi Shqipëria deklaroi pavarësinë nga Porta e Lartë?

Së pari më lejoni të them se para së gjithash është një vështrim shumë i thjeshtëzuar të thuash se otomanët ishin thjesht pushtues dhe shtypës. Otomanët kanë qenë këtu për gjysëm mijëvjeçari dhe ishin përgjegjës për rendin dhe prosperitetin. Një nga gjërat që shohim për fat të keq si historianë modernë është se shohim shekullin e 19 si test për periudhën e zhvillimit otomanëve. Në fakt nuk ka qenë ky rasti…Por këtë gjë ne e shohim edhe në pjesën tjetër të Ballkanit. Të gjithë nacionalistët e Ballkanit i shohin otomanët si shtypës dhe mendoj se kjo është shumë e thjeshtëzuar. Qartësisht ata janë përgjegjës për shumë gjëra negative, por dhe kontributi i tyre nuk duhet harruar.

Shqipëria ishte kombi fundit në rajon që arriti Pavarësinë, e fundit që zhvilloi një ndërgjegje kombëtare moderne, e fundit që iku nga regjimi komunist dhe ndoshta e fundit në arritjen e objektivit strategjik në anëtarësimin në Bashkimin Europian. Pse kjo vonesë historike e shqiptarëve dhe e Shqipërisë?

Është pyetje komplekse dhe e ndarë në tri nënçështje. Sa i përket Perandorisë Otomane përgjigja lidhet me marrëdhënie e shqiptarëve me Perandorinë Ata ishin jo vetëm drejtues të Perandorisë, por edhe kishin varur shpresat tek ajo për mbrojtje nga fqinjët që e rrethonin që kërkonin territore shqiptare. Shumë shqiptarë e panë Perandorinë si mbrojtëse të tyre deri në fund. Dhe ndoshta shumë vetë në Shqipëri më 1912 nuk do të kundërshtonin që perandoria osmane të vijonte në një formë a tjetër të luante një rol në Shqipëri. Secila prej këtyre periudhave duhet marrë e ndarë veçmas. Për historianët krijimi i një modeli/mostre është i rëndësishëm, por secila duhet parë individualisht në periudhën përkatëse.

Sa i përket ndikimit (amerikan) në Ballkan dhe në Shqipëri? Ballkani sigurisht nuk është parësor, dytësor, tretësor dhe ndoshta as i 15 apo i 16 në listë….

Nuk besoj se do të ketë ndikim të menjëhershëm. Mendoj se Shqipëria dhe Ballkani janë totalisht jashtë radarit të tij. Ai po merret me Lindjen e Mesme, me Korenë e Veriut dhe nuk jam i sigurtë se ai e di se ku bie Shqipëria, për fat të keq.

Ai u takua me kryeministrin.

Po është takuar.

Në takimet e NATOs, për shkak të renditjes alfabetit dhe tavolinës së rrumbullakët Shqipëria e para dhe SHBA e fundit i bie të kenë ndenjur afër.

Po vras mendjen se cila mund të ketë qenë biseda. Por në përgjithësi mund të them se nuk do të ketë ndikim të menjëhershëm. Një nga problemet është se Departamenti Shtetit është mënjanuar nga Presidenti Trump. Ai nuk e konsideron Departamentin e Shtetit të rëndësishëm si pjesë e qeverisë. Ai ka sugjeruar shkurtime të rëndësishme të fondeve ka pushuar nga puna një seri zyrtarësh të lartë dhe nuk i ka zëvendësuar. Nga ajo që unë kuptoj është se morali në Departamentin e Shtetit është shumë i ulët. Sekretari i Shtetit Tillerson është përshkruar si “njeri i mbaruar”, marrëdhëniet e tij me z. Trump janë shumë të ftohta dhe pyetja nuk është a do të largohet, por kur do të largohet dhe askush nuk e di kush do ta zëvendësojë atë. Ka një rrëmujë në Departamentin e Shtetit që ndikon në politikën ndaj Ballkanit dhe Shqipërisë dhe kudo tjetër. Kam mendimin se ambasadorët e kanë shumë të vështirë të marrin përgjigje për kërkesat e tyre ndaj Departamentit të Shtetit.

Liderët e fortë që i kemi dhuratë janë barrë apo vlerë për drejtimin dhe zhvillimin e vendit?

Vjen një pikë kur shoqëria dhe shteti nuk ka nevojë për liderë të fortë sepse insitucionet janë zhvilluar dhe koncepti i demokracisë është po ashtu i zhvilluar. Nuk mendoj se Shqipëria ka mbërritur ende në këtë fazë. Dhe mendoj se ky tranzicion do të jetë i vështirë sepse do të kërkonte që lideri i fortë të tërhiqej dhe të lejonte institucionet të funksiononin. Liderët e fortë nuk para e kanë qejf ta ndërmarrin këtë hap. Ne duhet të kemi dikë që mendon për të ardhmen, që të arrijë të dallojë dhe të kuptojë që koha si lider politik i fortë ka marr fund. Dhe ata të tërhiqen dhe të zëvendësohen nga institucionet e forta dhe nga rrjedha demokratike.

SHKARKO APP