Besa e (k)thyer, dështimi i një eksperimenti “etnik” në krye të Arsimit
Besa Shahini nuk ishte një emër i njohur në opinionin publik deri në dhjetor 2018 kur Edi Rama vendosi ta bënte ministre të Arsimit. Ishte një nga momentet më të vështira për mazhorancën socialiste, që prej ardhjes së saj në pushtet po përballej me protesta, masive, të vërteta sa sinqeriteti i rrugëve të mbushura me mijëra nxënës e studentë. Për herë të parë nga 2013, Kryeministri ndjeu poltronën e pushtetit të lëkundej dhe vrapoi të sakrifikonte Lindita Nikollën, një nga investimet e tij afatgjata në politikë, e cila nga mësuese ishte bërë ministre, por që tashmë studentët protestues refuzonin.
E panjohur nga publiku dhe socialistët e thjeshtë, por me njohjet e duhura. Besa Shahini, deri në ato momente zv/ministre e Arsimit, u ngrit në krye të dikasterit. Një imazh i freskët, në moshë të re dhe më pranë asaj të studentëve se paraardhësja. Propaganda qeveritare e kishte më të lehtë të bindte protestuesit se tashmë kishin dikë që jo vetëm i dëgjonte, por edhe mund t’i kuptonte. Me Besa Shahinin në qeveri, Kryeministri kishte mundësi të luante në heshtje edhe kartën e Bashkimit Kombëtar de facto me Kosovën. Vajza nga Prishtina që së bashku me Gent Cakën bëhej pjesë e ekipit qeveritar në Tiranë, nuk e përshtati asnjëherë elokuencën e saj me shqipen zyrtare, duke u bërë pjesë e një tjetër investimi afatgjatë të Edi Ramës, që këtë herë shtrihej në hartat e gjeopolitikës rajonale.
Rebele në natyrë dhe jashtë kornizave në tip, ministrja e Arsimit nuk u duk se arriti të gjente gjuhën e përbashkët me mësuesit, të cilët shihnin te Lindita Nikolla një njeri që vinte prej radhëve të tyre. Larg oborrit të shkollave edhe kur atje nevojitej prezenca e saj, ministrja shfaqej me mesazhe nga zyra, duke përforcuar idenë e snobimit ndaj arsimtarit dhe nxënësit. Besa kishte gjithmonë një fjali më tepër se sa i qëndronte ministres edhe kur para zyrës së saj protestohej në mbrojtje të nxënësve të dhunuar në shkolla.
Mësimi i ndërprerë nga tërmeti e më pas nga pandemia duket se shënuan fatin e ministres së Arsimit. Pikërisht kur prindërit prisnin të dëgjonin një mesazh që t’i siguronte e qetësonte për të ardhmen e fëmijëve të tyre, Besa Shahini, rezultonte në tjetër regjistër, me reagime të vonuara, që në vend të informacionit forconin pikëpyetjet. Emri i saj është i pari mes atyre që korridoret e politikës rendisin ndër ministrat që pritet të largohen nga qeveria. Edhe Edi Rama duket se e ka kuptuar që eksperimenti nuk funksionoi, ndërsa Besa duket e ndërgjegjshme që nuk e gjeti veten në Tiranë, arsye për të cilën ka njoftuar se do të largohet jo vetëm nga qeveria, por edhe nga Shqipëria.
/A2cnn/