Besa Shahini: Asnjë rast i dhunës dhe abuzimit nuk tolerohet
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, jep një mesazh të fortë për të gjitha ato vajza e gra, që bien pre e dhunës dhe abuzimit.
Përmes një mesazhi në “Facebook”, Shahini godet edhe mediat, që nxjerrin emrat e personave të abuzuar dhe spekulojnë me detaje të abuzimit, duke e cilësuar shfrytëzimin e viktimave të abuzimit si poshtërsi.
Ajo thekson se të gjithë kemi detyrimin të ngremë zërin përballë padrejtësisë apo abuzimit dhe të sigurohemi që shkaktarët e dëmit të marrin dënimin e duhur.
“Shfrytëzimi i viktimave të abuzimit apo neglizhencës, për arsye të tërheqjes së vëmendjes apo vetë-promovimit, është poshtërsi. Po të kishin interesin e të abuzuarve në mendje, nuk do t’i nxirrnin në media me identitet të plotë duke spekuluar me ditë të tëra për detaje të abuzimit.
Kam mbi dy vite në Shqipëri që shoh jetët e grave dhe vajzave të shkatërrohen nën peshën e kazanit mediatik, dhe jo vetëm! Të gjithë ne kemi detyrimin të ngrejmë zërin përballë padrejtësisë apo abuzimit dhe të sigurohemi që shkaktarët e dëmit të marrin dënimin e duhur. Por në këtë proces nuk guxojmë të thellojmë dëmin ndaj të dëmtuarit.
Asnjë rast i dhunës dhe abuzimit nuk tolerohet! Sidomos në shkollë! Masat e rrepta që kemi ndërmarrë për parandalim dhe dënim e reflektojnë këtë! Dua të nënvizoj edhe një herë: shfrytëzimi i viktimave të abuzimit për përfitim të vëmendjes është abuzim në vete. Ndaj edhe këtë formë të abuzimit do të bëj çmos ta luftoj!”, shkruan Shahini.
Reagimi i ministres vjen ne nje kohe qe Qendra për të Drejtat e Fëmijëve, CRCA/ECPAT në Shqipëri ka kërkuar që të shkarkohet nga detyra. Në një letër zyrtare drejtuar kryeministrin Edi Rama, Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe shumë anëtarëve të tjerë, drejtori i CRCA-së, Altin Hazizaj ka kërkuar që në mënyrë emergjente të shkarkohet Shahini dhe të mos lejohet abuzimi në shkolla. Hazizaj i referohet rastit më të fundit të denoncuar në emisionin “Stop”, ku një mësues, Agron Bego bashkë me kolegët e tij abuzonin seksualisht me nxënëset e tyre. Në shumë raste mësuesit bënin seks me të njëjtën nxënëse, njëri pas tjetrit.