Besa Shahini, për zhdukjen e kufijve të Kosovës: Gabim i paqëllimshëm!

Ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Besa Shahini, është detyruar të japë sot një sqarim publik lidhur me skandalin e zbuluar në tekstet shkollore të fëmijëve shqiptarë ku Kosova si shtet i pavarur nuk figuron.

Shahini, edhe vetë nga Kosova, ka tentuar t’i zbehë dhe t’i zvogëlojë në maksimum, përmasat e skandalit. Shahini e ka konsideruar si gabim të paqëllimtë nga një mori njerëzish që kanë punuar Qytetarinë e Klasës VII: Që nga autori i librit i pari, artisti grafik i dyti, redaktori i shtëpisë botuese,i treti dhe deri te një komision i tërë që “nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!”

Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka nxjerrë në pah këtë skandal dje, nisur nga denoncimi i një nxënësi dhe e ka konsideruar si “tradhëti kombëtare”.

 

Besa Shahini shkruan sot në Facebook:

Më erdhi keq kur pashë të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit.

Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 23 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate.

Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!

Ky është natyrisht një gabim i paqëllimshëm dhe s’është i vetmi, megjithëse janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore. Por padiskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë!

Lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të rinj. Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë.

SHKARKO APP