Besnik Mustafaj: Edhe heshtja të bën fajtor

Intervistë e shkrimtarit Besnik Mustafaj botuar në gazetën italiane “Corriere della Sera” më 25 shtator 1994

Vendi i shqipeve lëkundet ende midis një revolucioni të tradhtuar e një revolucioni të premtuar. Janë 3 milionë njerëz të mbërthyer për 50 vjet nga më dritëshkurtrit e më feudalët e regjimeve komuniste, ndërsa sot “të burgosur” të një Evrope që ata shpresojnë t’i emancipojë e t’i fusë në bashkësinë e “të pasurve e të qytetëruarve”. Shqiptarët u çliruan vetë nga nomenklatura e vjetër. Por, “të hipnotizuar nga komunizmi karikatural që ju impononte televizioni i Romës”, u bënë shpejt skllavë të së keqes që po vjen nga Perëndimi. Mbahen si nën efektin e një droge, “të shokuar nga stili i një jete të rreme që ata pretendonin ta imitonin”. Të mbetur jetimë nga trashëgimtarët e rënë nga froni i Enver Hoxhës, këta njerëz mund të kishin dëshirë t’i kushtoheshin kultit të ndonjë personaliteti tjetër të fortë, të prerë ndoshta sipas modelit të Berluskonit, “shumë i pëlqyer për mënyrën se si shpallet fitimtar e si fiton me të vërtetë”. Kjo gjë, e parë nga Tirana, të bën ta mendosh Italinë si vendin e përrallave ku fati u ecën të gjithëve: “Rafaela Karra rrotullon sferën, del numri yt “et voila”, bëhesh pasanik, madje i pari”. Ndjehesh ngushtë tek takon Besnik Mustafajn dhe dëgjon të flasë për “të shëmtuarit, të palarët e të këqijtë” e Shqipërisë. Më 1991 i nxorën nga deti dhe u tmerruan nga varfëria e llahtarshme që u lexohej në fytyrë. Parapëlqejmë t’i ndihmojmë “në shtëpi të tyre”, me lëmosha që ua dërgojmë nëpërmjet ushtarëve me misione humanitare. E pastaj besojmë që me rrugë ajrore t’i konvertojmë përfundimisht drejt demokracisë dhe tregut me një riedukim ideologjik me lojëra, konkurse këngësh e filma. Shkurt: u ofrojmë atë çka kemi më të keqe e kultivojmë atë çka kanë më të keqe, siç thotë shkrimtari që pas Ismail Kadaresë, është më i njohuri dhe më i përkthyeri në vend. Mustafaj ishte midis autorëve të përmbysjes së madhe. 36 vjeç tashmë, ai ka qenë deputet e sot është ambasador në Paris, por siç e tregon edhe kjo akt-akuzë, tregohet pak diplomatik e më i ashpër sesa gjykimet që jep në esenë që ka botuar muaj më parë Garzanti: “Shqipëria, midis krimeve dhe mirazheve”.

Roma e sheh Shqipërinë me një ndjenjë faji por edhe superioriteti. Domethënë me ndjenjën e kombit të sëmurë nga mirëqenia përballë një populli të uritur, dhe me dyshimin ndaj një revolucioni që nuk e dimë nëse do të jetë i suksesshëm. Si mendoni ju, a do të jetë i suksesshëm?
Jemi akoma në tranzicion të plotë, e kemi nevojë për kohë. Revolta e Tiranës ishte një revoltë studentësh e intelektualësh, gjë që eviton dhunën. Tani një pjesë e mirë e këtyre intelektualëve janë angazhuar në politikë: Presidenti është mjek, Kryeministri është arkeolog e kështu me radhë. Por del një problem: inteligjenca që është në pushtet nuk di natyrisht të bëjë autokritikë, e ndoshta tani i pëlqen shumë pushteti: Kjo është një pyetje që ja bëj sidomos vetes. Duhen formuar dhe njerëzit e zakonshëm, që ata të kenë të bëjnë direkt me politikën dhe të mund ta ushtrojnë atë. Ja pra ku jemi.
Kaluam tre vjet nga shok-u i zbarkimit të mijëra të dëshpëruarve në brigjet tona, siç e tregon edhe filmi i Amelios, dhe nga kthimi i detyruar. A ka perënduar në Tiranë mirazhi italian? Kush është më e fortë, dehja televizive që i nxiti shqiptarët të merrnin rrugët, apo mëria ndaj atyre që i zmbrapsën?
Historia jonë është kryqëzuar gjithmonë me tuajën, megjithëse jemi braktisur si pa të keq në duart e sundimit otoman, pastaj atij serb e më vonë nën diktaturën e Enver Hoxhës. Vështrimi ynë e ikjet tona janë drejtuar gjithmonë më shumë nga ju se sa nga grekët e nga sllavët. Le ta quajmë këtë një dëshirë për Evropën e dëshirë për Italinë, e ushqyer sidomos nga radiot e nga kanalet televizive që kapnim e që ishin më të forta se sa fushata propagandistike antiitaliane e regjimit. Sigurisht që këtu është fjala për një gjendje shpirtërore të njëanshme: juve nuk ju intereson shumë kultura jonë. Ndodh që librat, filmat tanë e muzika jonë njihen më shumë në Francë ose në Amerikë sesa në qytetet tuaja. Ndoshta që prej vitit 1991 entuziazmi ndaj jush ka rënë, por sigurisht që nuk bëhet gjithmonë, pra ëndrra vazhdon”.
Solzhenicini, kur e pa përsëri Rusinë pas migrimit të tij në Amerikë tha: “një det me bajga po vjen nga Perëndimi”. Njësoj si të thuash se Perëndimi po dhunon pafajësinë e popullit të tij të sapoçliruar. A vlen kjo edhe për Shqipërinë?
Po, sepse deri tani nuk keni eksportuar kulturën e vërtetë evropiane, por njëlloj stili jete të pavërtetë. Gjatë periudhës së Enver Hoxhës do të kishim dashur të dëgjonim me radion tuaj ose të shihnim në televizionin tuaj atë që nuk na jepte universiteti, biblioteka shtetërore, lidhja e shkrimtarëve, apo teatri kombëtar. Në fakt na e paraqisnin të vetëm komunizmin pa fund dhe pasurinë e lehtë dhe ideale. Populli im është i thjeshtë e i brishtë e këto llamburitje e trullosën. Imagjinata kolektive ndryshoi, lakmia u bë ndjenja mbizotëruese. Krijojmë një karikaturë tuajën. Botuesit tanë botojnë edhe Barbara Kertland, por jo Petrarkën, Danten ose Kalvinon. Mendoj se është një fazë e pashmangshme. Ekuilibri që keni ju, sepse ju nuk jetoni me flluska sapuni do të vijë me kohën.
Kjo do t’i kishte konfirmuar Poperit teorinë e tij për rreziqet e televizionit…
Mund të bëhet seriozisht një murtajë morale, më e keqe sesa kolera që ka goditur vendin tim. Nganjëherë televizioni dëmton edhe duke mos i thënë gjërat: a ju ka shkuar ndonjëherë në mendje ju italianëve se revolucioni tek ne u vonua edhe për atë që ju nuk na tregonit mbi regjimin? Asnjëherë nuk keni folur. Ne, thjesht, nuk ekzistonim. Edhe heshtja të bën fajtor.
Për këtë aludoni kur flisni për “kredon morale” të shqiptarëve ndaj Italisë e Evropës?
Jo vetëm për këtë. Sot Perëndimi nuk mund të thotë: dërgova ndihma, pagova pra e shpëtova shpirtin tim. Sigurisht e gjitha kjo na shërben madje i ka marrë mendjen popullit tim… Ne ju falënderojmë për këtë. Por nuk mjafton, sepse duhet të na gjykonit me një ndershmëri intelektuale më të madhe. Na akuzoni se jemi shumë të ngadaltë në ndryshimet tona. Dyshoni hapur në integritetin e shpresës sonë të re politike, me justifikimin se ndoshta ka në të ndonjë ish komunist. Është ky një gjykim a një ashpërsi që për ju s’kanë vlerë e që në fakt nuk përbëjnë skandal: për shembull, ideja që Miterani në rininë e tij ishte mik i Petenit, bën pjesë në itinerarin e tij politik e është normale. Jo, nuk mund të pretendoni që të rimëkëmbni menjëherë pas 50 vjet goditje.
Berluskoni duket që është mjaft i pëlqyer në Tiranë. Ka bare e restorante me emrin e tij. Dikush donte të themelonte edhe një klub të quajtur “forca Shqipëri”. Çfarë do të dëshironit t’i kërkonit?
Është e vërtetë që Kryeministri juaj shihet me admirim: njerëzve tek ne u pëlqen historia e tij si në përrallë, televizionet plot yje e shkëlqim, pasuritë që ka ditur të vërë, karrierën politike marramendëse. Do t’i kërkoja të vinte tek ne, por do të doja që këtë ta bënin të gjithë politikanët italianë, afaristët e njerëzit e kulturës. Të vinin të na njihnin por edhe t’u bënin të njohur shqiptarëve Italianë e vërtetë e solide, atë Itali që punon e prodhon, atë që ka ditur t’i rezistojë mafias, atë që ka bërë historinë. Dhe jo gënjeshtrën ngjyrë rozë që del cdo mbrëmje nga tubi katodik.

SHKARKO APP