”Beteja” Berisha-Yuri Kim
Sali Berisha dhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim janë në një ”betejë”. Sot Berisha e akuzoi ambasadoren, duke thënë se po përpiqet që të ndërhyjë në procesin gjyqësor për çështjen e statutit të PD-së.
Ish-kryeministri i bëri thirrje qeverisë amerikane që të reagojë për këtë çështje, ndërsa e cilësoi si qesharak reagimin e ambasadores për incidentin që ai pati në Kuvend me Enkelejd Alibeajn.
”Një ndërhyrje qesharake nga guvernatorja. Theksoj se ka marrë fund loja me kukulla. Sot ka opozitë të vërtetë. Askush nuk i dikton opozitës akuzat që duhet të bëjë apo jo. Pashë aty dhe shqetësim për akuzat”.
Nga ana e saj, Yuri Kim shkruan se lufta kundër korrupsionit është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe se ambasadorja është duke inkurajuar gjyqtarët dhe prokurorët të bëjnë punën e tyre.
Gjykata e Tiranës ka pranuar ankimin e PD-së, përfaqesuar nga Enkelejd Alibeaj, duke legjitimuar atë si ankues dhe duke pranuar të drejtën e ankimit. Anëtari i Komisionit të Rithemelimit Ivi Kaso, thotë se ky vendim është në kundërshtim me ligjin dhe Gjykata duhet ta kishte rrëzuar këtë ankimim.